Borrelli takon Blinkenin, theksojnë nevojën për shtensionim të situatës në Kosovë

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, po qëndron në SHBA ku është takuar me Sekretarin e Shtetit amerikan, Antony Blinken në Washington.

Në mesin e temave të diskutuara mes tyre ishte edhe çështja mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe zhvillimet e fundit në vendin tonë pas aksionit të djeshëm policor në veri.

Sipas komunikatës së BE-së, thuhet se Borrelli dhe Blinkeni kanë nënvizuar rëndësinë e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në adresimin e çështjeve që lidhen me normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, transmeton Zeri.info.

“Ata diskutuan më tej mundësitë për vazhdimin e partneritetit BE – SHBA në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të përparimit të rajonit në rrugën e tij evropiane, nënvizuan rëndësinë e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në adresimin e çështjeve që lidhen me normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe, duke iu referuar zhvillimeve të fundit, theksuan nevojën për shtensionim dhe ri-angazhim në negociata. Ata ranë dakord të forcojnë më tej bashkëpunimin e tyre në këto çështje”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga BE-ja pas takimit.

Borrelli, nga ana e tij, tha: “Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një marrëdhënie të rëndësishme dhe unike. Do të vazhdojmë të punojmë ngushtë jo vetëm sepse jemi partnerë të zgjidhjes së parë, por edhe sepse miqtë dhe aleatët na shikojnë dhe presin që ne të punojmë së bashku për të adresuar sfidat globale”.

Sekretari Blinken ndërkaq, shprehu vlerësimin e tij “për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit”, dhe ai theksoi nevojën “për të ecur përpara në bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. /Zëri

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS