Hidromorava

Borrell: Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar me planin evropian, por duhen negociata të mëtejme për të gjetur modalitetet e zbatimit të marrëveshjes

/ 3 minuta lexim

Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell pas përfundimit të takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dy liderët kanë bërë progres dhe janë zotuar që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel.

“Të dy liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme. Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshje. Negociata të mëtejme nevojiten për të gjetur modalitetet e zbatimit të marrëveshjes”, tha Borell pas takimit.

Ai ka vlerësuar faktin se të dy palët janë deklaruar se nuk nevojiten diskutime tjera sa i përket propozimit të BE-së.

“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera për propozimin e BE-së, që e ka titullin Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi të dy liderët u pajtuan se nuk ka nevojë për më shumë diskutime, teksti i marrëveshjes do të publikohet”, shtoi Borrell.

Ai ka thënë se për serbët në Kosovë kjo do të thotë më shumë siguri dhe përshtatshmëri dhe më shumë të drejta.

“Diplomacia ecajake do të vazhdojë”, ka shtuar Borrell, i cili ka bërë të ditur se në mes të muajit të ardhshëm do të ftojë dy liderët për një takim tjetër, për siç ka thënë finalizimin e diskutimeve.

Ai thotë se BE-ja u kujtoi palëve detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në dialog, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Uji Dea

“Të dyja palët kanë rënë dakord të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar që mund të çojë në tensione të reja në terren dhe të prishë këto negociata”, deklaroi tutje Borrell.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.

Kurti dhe Vuçiq takuan edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përpara takimit të përbashkët.

Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes tyre – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin.

Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre qysh në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin.