Borrell: Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet, s’ka rrugëdalje tjetër
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, para takimit të 18 marsit në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se palët duhet të bien dakord për aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Në një postim në Twitter, ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet pasi nuk ka rrugëdalje tjetër.
“Për të hapur rrugën drejt arritjes së objektivit të anëtarësimit në BE, Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet. Nuk ka rrugëdalje. BE-ja ka bërë pjesën e saj dhe dialogu Beograd-Prishtinë është një pjesë qendrore e mandatit tim. Askush nuk tha se një detyrë kaq monumentale sa lehtësimi i një marrëveshjeje normalizimi do të ishte e lehtë. Ka pasur ulje-ngritje, dhe shumë shpesh çështjet e konsideruara të vogla dhe teknike janë dëshmuar shumë të ndjeshme dhe politike, me potencialin për t’u kthyer në të dhunshme”, ka shkruar Borrell.
Sa i përket takimit të fundit të nivelit të lartë mes dy liderëve të mbajtur më 27 shkurt të këtij viti, Borrell ka deklaruar se Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të mëtejshme për Propozimin evropian për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“27 shtete anëtare të BE-së në takimin e Këshillit Evropian në shkurt. Kjo nuk është një arritje e vogël dhe një hap i rëndësishëm përpara. Por, ende nuk është një punë e përfunduar”, është shprehur përfaqësuesi i lartë i BE-së.
“Kjo është arsyeja pse tani është koha për t’u fokusuar në pamjen më të gjerë dhe për të mos lejuar që një dritare tjetër të mbyllet para syve të njerëzve të rajonit, siç ka ndodhur disa herë në histori”.
Sipas tij, tani është koha që Serbia dhe Kosova të bien dakord për aneksin e zbatimit, i cili është pjesë e marrëveshjes dhe të ndajnë një mirëkuptim të qartë se si të zbatojnë dispozitat e tyre.
Mes tjerash, Borrell ka thënë se është koha që liderët e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor të tregojnë guxim dhe përgjegjësi të përbashkët për suksesin e procesit të anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian.
“’Detyra e liderit është që t’i çojë njerëzit e tij/saj nga atje ku janë, atje ku nuk kanë qenë’, tha një nga kolegët e mi me përvojë. Detyra e liderit është gjithashtu të ofrojë cilësinë e jetës që njerëzit duan, do të shtoja unë, cilësinë e jetës që sjell anëtarësimi në BE”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/