RCCOLA

Borell: Situata e tensionuar në Veri të Kosovës, përforcohet edhe EULEX

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, përmes një cicërimë në rrjetin social Twitter, ka njoftuar se Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është përforcuar me trupa shtesë pas tensioneve në pjesën Veriore të Kosovës.

“Forca Evropiane e Xhandarmërisë (angazhohet për stabilizimin e zonave të krizës dhe konfliktit jashtë BE-së) nga Karabinieri zbarkuoi sonte që përkohësisht ta përforcojë Njësinë Policore të EULEX-it në Kosovë”, ka shkruar ai.

“EULEX do të vazhdojë që ta mbështesë një ambient të sigurt”, shtoi shefi i diplomacisë evropiane.

Masa ‘paraprake’

Ndryshe, në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në pikën kufitare në Jarinje, është shtuar numri i pjesëtarëve të EULEX-it, pas tërheqjes së ‘Listës Serbe’ nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Policë të EULEX-it nga kontingjenti polak janë duke qëndruar në Jarinje dhe po shikojnë situatën nga afër.

Uji Dea

Gjithashtu, në mes të Jarinjës dhe Mitrovicës së Veriut, edhe ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR-it) janë të stacionuar pranë rrugës kryesore. Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.

Si rrodhën gjërat?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoi Kurti në mbledhje të qeverisë.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.