RCCOLA

Borell me plan deeskalimi, si e pritën Kurti e Vuçiq dhe çfarë thanë ata në Bruksel

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Borrell ka një plan me disa pika që do ta shtensionin situatën në veri të Kosovës. Kurti ka pikëpamjet e tij se si duhet të ndodhë kjo, që është më ndryshe se ajo që e propozojnë ndërkombëtare. Vuçiq është deklaruar i pashpresë. Të dy nuk janë takuar me njëri-tjetrin.

Gazeta Express

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim të raporteve muaj më parë. Por, raportet janë aq jonormale, saqë ndërmjetësit evropianë nuk arritën t’i ulin së bashku në një takim në Bruksel. Ai që u mbajt dje është titulluar “takim për menaxhimin të krizës”.

Rrjedhimisht, Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Jesep Borrell dhe emisari Miroslav Lajcak, të enjten kanë biseduar për katër orë me Kurtin dhe Vuçiqin, ndaras.

Pas takimeve, Borrell doli me propozimet për shtensionimin e situatës, ku çdo gjë nis me një hap që, sipas ndërkombëtarëve, duhet ta bëjë Kosova.

“Për Kosovën, që menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Serbia të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës”, ka thënë Borrell.

Borell kërkon zgjedhje të reja, ndërkaq Kryeministri Kurti pajtohet t’i mbajë ato, por me një kusht.

“Kjo është rrënja e problemit dhe rrënja e zgjidhjes – zgjedhje të reja sa më parë me pjesëmarrje të plotë”, ka thënë ai.

“Zgjedhjet e parakohshme jemi të hapur, por duhet të kenë zgjidhje ligjore. S’mund të bëhen jashtë ligji. Siç e parasheh ligji, ta zëmë me nënshkrime të qytetarëve, që t’ia përfundojnë mandatin një kryetari. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit. Por s’mund të bëjmë zgjidhje joligjore”, ka thënë Kurti.

Derisa ndërmjetësit besojnë se shtensionimi ndodh me largimin e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë nga objektet e komunave veriore të Kosovës, Kurti ka një tjetër “udhërrëfyes” deeskalimi.

“Për bindjen time deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve kriminale e ilegale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave”, tha Kurti, pas takimit.

“Ndërsa sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, e kuptojmë se ka rëndësi për zgjedhje të parakohshme me proces që paraprihet nga sundimi i ligjit, kampanjë e hapur dhe fer dhe zgjedhje të lira dhe demokratike. S’mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që kemi lënë pas, por mbetet të shihet. Jam i hendikepuar sepse s’ka pasur takim direkt”, deklaroi tutje Kryeministri.

Eco Higjiena

Ndërsa Vuçiq, në adresimin e tij, ka thënë se nuk mund të konfirmojë se “ka ndonjë udhërrëfyes” për të dalë nga kriza në veri të Kosovës.

“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di… kur kemi kamionë në pritje…”, tha ai.

Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”.

“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyçe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment”, tha tutje Vuçiq.

Ai ka thënë edhe se është ankuar për keqtrajtimin, që, sipas tij, po u bëhet serbëve të arrestuar ketë javë për sulme ndaj gazetarëve dhe autoriteteve të sigurisë.

Ndërkohë Borell, dje, ka prezantuar kërkesat e BE’së.

Kosovës i ka kërkuar që menjëherë të ndërpriten operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës dhe që katër kryetarët e komunave të kryejnë përkohësisht detyrën e tyre në objektet jashtë objekteve komunale.

Serbisë i ka kërkuar që të ndikojë tek protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat e komunave, njëkohësisht, me tërheqjen e policisë së Kosovës.

Shefi i diplomacisë së BE’së u ka kërkuar të dyja palëve, që sa më shpejt të shpallen zgjedhje të parakohshme [lokale] në të katër komunat me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

“Këtu është thelbi i problemit dhe thelbi i zgjidhjes; zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhje të reja, sa më shpejt, me pjesëmarrje të plotë.

Dhe më pas, pasi situata në terren të normalizohet, të vazhdojmë të punojmë për normalizimin përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropia” ka thënë Borell. /Express/