Bordi i OSHP-së përçan koalicionin

Deputetët e koalicionit qeverisës kanë dështuar në seancën e së martës të Kuvendit të Kosovës t’i zgjedhin anëtarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pavarësisht se nuk kishte as gaz lotsjellës për shkak të bojkotit nga opozita.
Organi Përzgjedhës i Pavarur për emërimin e anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas intervistimit të kandidatëve i kishte rekomanduar Kuvendit t’i emërojë Berim Dinën kryesues dhe Vjollca Shala-Kurtishajn anëtare të bordit të OSHP-së.
Por, edhe pas dy votimeve, kandidatët nuk kanë marrë votat e nevojshme për t’u emëruar në bordin e OSHP-së, pasi deputetët e LDK-së nuk kanë votuar fare për dy kandidatët. Në votimin e parë nga 75 deputetë të pranishëm në sallë, 43 vota ishin për, një kundër dhe asnjë abstenim, derisa në votimin e dytë, 40 vota ishin për, një kundër dhe një abstenim, çka bëri që kandidatët të mos kalojnë në Kuvend.
Anëtar i bordit të OSHP-së, do duhej të emërohej edhe një përfaqësues nga komuniteti serb. Por, Organi i Pavarur Përzgjedhës ka konstatuar se asnjëri nga kandidatët e propozuar nga komuniteti serb nuk i ka plotësuar kushtet formale sipas Ligjit për prokurimin publik të Republikës së Kosovës, që të propozohet në Kuvend për emërim./zeri/