Mobi Casa

Bordet shkatërruese

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enis Veliu – Emërimet e fundit të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura në vend përfundimisht konfirmuan se politika nuk heq dorë nga to, pavarësisht deklaratave të shumta se në krye të tyre do të duhej të vendosen njerëz profesionistë.

Gjatë kohës sa ishte në opozitë partia e kryeministrit aktual, Isa Mustafa, në vazhdimësi kishte drejtuar akuza në drejtim të Qeverisë së atëhershme për politizim të bordeve.

Por, pak kohë pasi që Mustafa mori timonin e Qeverisë, edhe ai vetë vazhdoi me avazin e Qeverisë së kaluar, duke emëruar njerëz të politikës në krye të bordeve të ndërmarrjeve të rëndësishme publike në vend. Në konkursin e shpallur për anëtarë të bordeve publike kishin konkurruar më shumë se 3000 persona, por në fund nuk u përzgjodhën ata që e meritonin, por ata që u deleguan nga dy partitë politike që po qeverisin vendin. Komisionet si për çudi lanë anash doktorë shkencash të fushave të ndryshme dhe zgjodhën për borde fëmijë të politikanëve. Zgjedhja e vëllait të gruas së ministrit aktual të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, për kryesues të Bordit të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Ibër Lepenc”, si dhe zgjedhja e djalit të kryetarit aktual të Skenderajt, Sami Lushtaku, për anëtar të Bordit në këtë Ndërmarrjeje, tregon më së miri se ndërmarrjet janë kapur nga eksponentë të partive politike që po qeverisin vendin.

Në borde nuk janë përzgjedhur njerëz profesionistë edhe pse në garë kishte pasur sa të duash, por janë zgjedhur të dëgjueshmit e politikës e të cilët mbajnë edhe vende të tjera të punës. Për shkak të mosmarrëveshjeve mes partnerëve të koalicionit Agjencia Kosovare e Privatizimit vazhdon të jetë e bllokuar qe një kohë të gjatë me mungesë të bordit funksional. E bllokimi i kësaj të fundit në masë të madhe ka dëmtuar ekonominë e lodhur të vendit tonë. Përfundimisht, ndërmarrjet publike në vend janë çerdhe e korrupsionit, si dhe strehë e militantëve partiakë. Këtu punësohen vetëm ata që janë të lidhur direkt me politikën e konkurset shfaqen vetëm sa për sy e faqe. Shumica prej tyre janë të mbipunësuar me punëtorë dhe me punën që bëjnë ato nuk arrijnë ta mbajnë veten, siç është rasti i Postës së Kosovës, ku vitin e përfundon me humbje milionëshe.

Fundamenti

I dhimbshëm është edhe rasti Telekomit të Kosovës, ku për një kohë relativisht të ulët si pasojë e keqmenaxhimit thuajse iu janë zvogëluar të hyrat për rreth 50 për qind.

E si për çudi Bordi, një pjesë e bordit që e sollën Ndërmarrjen në këtë gjendje, madje edhe pse ishin të gjykuar si të dyshuar për korrupsion u shpërblyen edhe me një mandat në krye të Ndërmarrjes më të madhe Publike në vend.

Është momenti i fundit kur Qeveria duhet të heqë dorë dhe do të duhej të lejojë që në borde të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura të vendosen njerëz profesionistë, të cilët kanë potencialë për t’i zhvilluar ato e jo në to të akomodohen familjarë të eksponentëve politikë, siç është rasti i fundit.