ARKATANA

Bordet shkatërruese

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Enis Veliu – Shuma të mëdha parash të buxhetit të varfër të Kosovës, edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për pagat super të larta të kryetarëve dhe anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike (NP), si dhe të agjencive të pavarura në vend.

Por, përveç të hyrave të rregullta, anëtarët e bordeve që kryesisht janë njerëz të deleguar nga politika sigurojnë për vete direkt edhe shumë benefite tjera, e për indirekt nuk po flasim fare, pasi që shumica prej tyre, fëmijët, apo edhe familjarët e tyre i kanë rehatuar nëpër institucione të rëndësishme publike në vend, ku për punën që bëjnë marrin paga tre herë më të larta sesa është mesatarja në vend.

Por, si për çudi pagat dhe benefitet edhe më tutje vazhdojnë të jenë të njëjta edhe përkundër vështirësive të mëdha financiare, në të cilat po kalon vendi.

Ministria e Financave në projektbuxhetin e vitit 2015, i cili para pak ditësh është miratuar nga Qeveria e Kosovës për vitin që vjen ka paraparë më pak buxhet për investime kapitale, por nuk e ka parë të arsyeshme të prekë pagat e këtyre “supermenëve” të Kosovës të cilët përfitojnë jashtë çdo rregulli normal në vend.

Ta zëmë, paga mujore e drejtorit aktual të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Adrian Zalli, ka arritur në 5958 euro, pa përfshirë këtu edhe benefitet tjera të shumta që ka ky person. Por, nëse pagën e tij vjetore e krahasojmë me atë të vitit paraprak shihet se ka një rritje prej hiç më pak se 9 mijë euro.

Zalli në vitin 2013 ka marrë një page vjetore pa bonuse 62 mijë euro. Ndërkaq, sivjet ai në emër të pagës për një vit merr 71 mijë e 500 euro.

ARKATANA

Nëse e bëjmë një kalkulim të thjeshtë shumë qartë del se paga e drejtorit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës është gati nëntë herë më e madhe se ajo që e ka Basri Lenjani, i cili është drejtori i Qendër Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në kushte dhe rrethana normale bordi do të duhej të bënte politika për zhvillimin e ndërmarrjeve, por në vendin tonë po ndodh e kundërta, ku nuk përjashtohen rastet siç ka qenë ai i PTK-së, kur kompania ka pasur rënie të vazhdueshme të të hyrave, e në anën tjetër bordi përveç pagës ka marrë edhe bonuse në emër të performancës.

Vetë dërgimi i njerëzve politikë në këto borde e që as nga afër nuk janë profesionistë të fushave që ata tash mbulojnë nëpër ato borde, tregon shumë qartë se Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar që t’i zhvillojë ato, por vetëm t’i “mjelë”, t’i amortizojë dhe më pas t’i shesë ato me çmime qesharake, siç është rasti i distribucionit, ku vlera e godinës qendrore ka më shumë vlerë sesa çmimi që është shitur ai.

Andaj është koha e fundit kur Qeveria duhet të ndryshojë praktikën e keqe të bordeve, ku në vend të njerëzve politikë të dërgojë ekspertë që do të kontribuonin në zhvillimin e ndërmarrjeve të caktuara, e jo t’i shkatërronin ato në vazhdimësi nga mosdija e nga keqmenaxhimi, siç është duke ndodhur edhe sot e kësaj dite.

Andaj ndërmarrje si Korporata Energjetike e Kosovës, në kushte dhe rrethana normale është dashur të jepnin kontribut në mbushjen e buxhetit të Kosovës e jo siç po ndodh tash kur kjo e fundit kërkon nga Qeveria “infuzione” për të mbetur gjallë.