RCCOLA

Bordet partiake falimentuan kompanitë publike

/ 8 minuta lexim
KKVITI

Si pasojë e politizimit të bordeve të NP-ve dhe me ndihmën e nëntokës kriminale dhe mafiooligarkëve që nga pas lufta e deri më sot janë shkatërruar ndërmarrjet publike të Kosovës.

“Përzgjedhja e bordeve gjithmonë ka pasur përkrahje edhe nga politika, si dhe shumë herë këto borde janë zgjedhur sa për sy e faqe dhe në mënyrë joprofesionale. Këto borde, që janë krijuar, po i shkatërrojnë NP-të, duke bërë pazare me asetet shtetërore”, vlerësoi eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci për ” Kosova Sot”.

Si pasojë e politizimit të bordeve të NP-ve dhe me ndihmën e nëntokës kriminale dhe mafiooligarkëve që nga pas lufta e deri më sot janë shkatërruar ndërmarrjet publike të Kosovës.

Analistët, ndërkaq, thonë se e tëra kjo ndodhi në saje të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve me përkrahje politike dhe joprofesionale dhe që po zgjat për afro dy dekada, duke i shkatërruar të gjitha ndërmarrjet publike, të cilat janë shkatërruar si asete publike, me qëllimin e vetëm për t’u pasuruar politikanët tanë të inkriminuar të pasluftës, por edhe me ndihmën e nëntokës kriminale dhe mafio-oligarkëve. Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Arton Demhasaj, nga OJQja,”Çohu”, për gazetën”Kosova Sot”, tha se emërimet politike që kanë ndodhur nëpër bordet e Ndërmarrjeve Publike kanë ndikuar që me të madhe këto NP të shkojnë drejt shkatërrimit. “Mirëpo, këto jo vetëm që janë shkatërruar, por përmes politizimit të bordeve kanë ndikuar edhe në punësimet e tjera nëpër këto ndërmarrje, që edhe ashtu kishin qenë me mbipunësime”, potencoi ai.

“Tash ose kurrë është koha që me NP-të tona dhe bordet e tyre të qeverisin njerëzit profesionistë e jo familjarët, klanet dhe militantët e partive që i sollën këto NP tona në gjendjen e mjerë, ku kanë ardhur ato”, vlerësoi Ramadan Maloku për “Kosova Sot

“Këto asete po u shiten mafiooligarkëve për një shumë simbolike. Dhe, nga ana tjetër, vetë po pasurohen duke u paguar nga mafio-oligarkët për shitjen e aseteve shtetërore”, u shpreh Dardan Grapci për “Kosova Sot

Ekspertët u anashkaluan

UBT

Demhasaj thotë se e tëra kjo ka ndikuar që këto NP të shkojnë drejt falimentimit të tyre, duke ndikuar që mos të kenë më punë, e madje as për paga të punëtorët e tyre, e lërë më që të sjellin fitime për shtetin. “E tëra kjo ka qenë qëllimi i individëve që në këto borde të përfitojnë për vete edhe për ata që i kanë emëruar, ndaj edhe ky ishte qëllimi që nëpër këto borde të NP-ve nuk kanë dërguar ekspertë dhe individë që t’i zhvillojnë ato, por që të përfitojnë individualisht për vete apo për ndonjë grup të caktuar politik, ndonëse duhet qenë realë, sepse nuk kemi të dhëna konkrete”, vlerësoi ai . “Kjo ka qenë njëra anë e shkatërrimit të tyre. Mbase edhe mund të ketë pasur edhe arsye të tjera që ato NP janë shkatërruar, por arsyeja kryesore e shkatërrimit të tyre prapëseprapë mendojmë se janë punësimet politike nëpër këto NP”, vijoi më tutje Demhasaj. Eksperti i Integrimeve Evropiane në fushën e ekonomisë, Nëntor Shaqiri, për ” Kosova Sot”, thotë se punësimi i familjarëve të zyrtarëve të lartë politikë dhe militantëve të partive politike në Ndërmarrjet Publike, duke anashkaluar ekspertët që janë profesionistë, gjatë këtyre punësimeve e dëmton rëndë edhe më tej performacën e këtyre ndërmarrjeve. “Tashmë nevojitet të krijohet një qasjeje e re në aspekt të punësimit në Ndërmarrjet Publike që edhe është kyçe në rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të këtyre ndërmarrjeve”, potencoi ai. Sipas Shaqirit, ka qenë edhe kërkesa e prerë e drejtuesve të Bashkimit Evropian për depolitizimin urgjent të Ndërmarrjeve Publike,dhe se kjo kërkesë e tyre duhet që të merret me seriozitetin më të lartë nga Qeveria “Haradinaj”.

Militantët favorizohen

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për ” Kosova Sot”, tha se është për të ardhur keq si po e zhvat pasurinë e Kosovës politika ditore, sepse këto shkatërrime që po ia bën politika ditore nuk kanë qenë as në kohën e masave të dhunshme serbe të viteve 90-ta. “Kjo, ngase më të konsoliduara kanë qenë ish-ndërmarrjet e dala nga lufta sesa sot. Edhe nëse këto NP tona janë zhvatur gjatë viteve 90-ta , fundja kjo edhe ka qenë diçka e pritur, sepse nga armiku nuk pret më mirë, por kjo politikë që e merr besimin nga ky qytetar dhe i marrin pagat po nga këta taksapagues, në anën tjetër e dëmtojnë çdo ditë ekonominë e duke vendosur njerëz joadekuatë profesionalisht dhe moralisht, të cilët vetëm një gjë e bëjnë mirë, duke u vënë në shërbim të politikës”, theksoi ai. “Mjafton që të jesh militant i partisë në pushtet dhe mund të emërohesh në pozita kyçe që edhe vetë i emëruari nuk ndihet rehat, sepse është një mal i panjohur për të emëruarin, por e rëndë- sishme për politikën ditore dhe partitë në pushtet është që i emëruari është i dëgjueshëm”, potencoi analisti Kadriaj. “Jemi dëshmitarë që këto ditë partitë në pushtet po i shkarkojnë dhe emërojnë çdo ditë bordet në Ndërmarrjet Publike vetëm për t’i përmbushur kërkesat e militantëve të tyre partiakë dhe për t’i realizuar apetitet e tyre dhe këto ndërrime nuk bëhen për ngritje të performancës, por për të dominuar në politikë dhe më komike është që edhe partitë në pushtet po i shkarkojnë ato borde që nuk janë të partisë, edhe pse janë në koalicion qeverisës”, vijoi më tutje ai.

Klanet shkatërruese të ekonomisë

Ndërsa anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, tha se për dallim nga qeveritë e mëhershme, Qeveria “Haradinaj” duhet që urgjentisht të ndërrojë qasjet e deritashme, që i kanë pasur qeveritë e mëhershme karshi politizimit dhe involvimit të politikës dhe klaneve të grupeve politike e përfshirjen e militantëve partiakë nëpër postet drejtuese dhe bordet e NP-ve. “Format e deritashme të qeverisjes dhe menaxhimit me NP-të kosovare, përmes mbikëqyrjes së këtyre kategorive, vetëm sa i kanë shkatërruar këto NP dhe që e keqja të jetë më e madhe, një numër të madh të këtyre NP-ve, që drejtoheshin nga familjarët, klanet dhe militantët në shumë raste shumë nga këto biznese madje edhe i sollën buzë falimentimit dhe humbjen e qindra- mijëra vendeve të punës. Kjo, ngase këtyre drejtuesve të NP-ve në asnjë mënyrë as që ua kemi parë hairin nga menaxhimi i tyre”, vijoi më tutje ai. “Tash, ose kurrë është koha që me NP-të tona dhe bordet e tyre të qeverisin njerëzit profesionistë e jo familjarët, klanet dhe militantët e partive që i sollën këto NP tona në gjendjen e mjerë, ku kanë ardhur ato”, vlerësoi Maloku. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për ” Kosova Sot”, tha se Ndërmarrjet Publike do të shkatërrohen edhe më shumë, nëse dikush nga Qeveria ‘Haradinaj’, nuk merr masa kundër politizimit të bordeve dhe shitjes së aseteve shtetërore tek mafio-oligarkët. “Përzgjedhja e bordeve gjithmonë ka pasur përkrahje edhe nga politika si dhe shumë herë këto borde janë zgjedhur sa për sy e faqe dhe në mënyrë joprofesionale”, u shpreh ai. Sipas tij, këto borde që janë krijuar po i shkatërrojnë NP-të, duke bërë pazare me asetet shtetërore.

(Kosova Sot)