Bora “shpëton” përkohësisht ndërtuesit ilegal

Gjilan – Selver Xhelili drejtor i inspeksionit komunal tha për rajonipress se të enjten është dashur të realizohet aksioni për rrënimin e disa objekteve pa leje përkatëse në mesin e tyre edhe dy objekte të ndërtimit të lartë, por për shkak të borës dhe për faktin se disa ndërtues janë në fazën e kompletimit të dokumentacionit, aksioni është shtyrë.
Inspeksioni komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është dashur që të enjten (17 prill 2014) të ndërmarrë një aksion për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, por për shkak të borës ky aksion sipas Selver Xhelilit drejtor i inspeksionit është shtyrë për më vonë.
Xhelili tha për rajonipress se janë disa objekte pa leje dhe ka edhe ndërtime të larta, por që janë të pakta e që duhet të rrënohen.
Sipas tij ka ndërtues që ende ndodhet në fazën e kompletimit të dokumentacionit dhe u duhet kohë.”Ne jemi të vendosur që aksionin ta realizojmë me sukses përkundër pengesave e presioneve. Gjithçka që është e bazuar në ligj do të zbatohet nga inspeksioni” tha Xhelili.
Xhelili ndërkaq ka sqaruar edhe përfoljet rreth pompës së benzinës “Hib Petroll” e cila po ndërtohet në dalje të Shillovës.”Unë kam kontaktuar me Ministrinë e Ambientit e cila është përgjegjëse për lejet e tilla. Ata më kanë thënë se kjo kompani ndodhet në fazën e kompletimit të dokumentacionit dhe tek pastaj janë disa procedura që i takojnë Komunës së Gjilanit” tha Xhelili.
Xhelili tha se askush nuk ka arsye të shqetësohet e as të brengoset sepse çdo ndërtues është i obliguar që të pajiset me leje ndërtimore dhe ky është synim i imi.”Janë disa raste të trashëguara nga ish pushteti i kaluar, por ne jemi të vendosur që lëndët t`i zgjidhim dhe rastet të kompletohen. Asnjë ndërtues nuk është mirë të ndihet komod sepse aksioni do të realizohet e unë pres që të gjithë këta ndërtues ilegal të pajisen me leje dhe të paguajnë taksat e parapara ligjore” tha Xhelili./rajonipress/