Bora ndërpret grumbullimin e përfaqësueses U19
Ashtu siç ishte paraparë në kalendarin e Përfaqësueses U19, grumbullimi dy ditorë me 25-26 janar të mbahej në stadiumin e 2 Korrikut në Prishtinë, nuk doli i saktë për shkak të reshjeve të borës gjatë 24 orëve të fundit.
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Ramiz Krasniqi, me stafin e tij i kishin bërë përgatitjet për t`i parë nga afër rreth 33 futbollist, si vendor njashtu edhe nga klubet e ndryshme evropiane.
Në ditën e parë me mjaft vështirësi edhe pse kishte reshje të mëdha të borës, Përfaqësuesja e Kosovës arriti ta zhvillon ndeshjen miqësore me Trepçën nga Mitrovica, në këtë ballafaqim përzgjedhësi Ramiz Krasniqi arriti ti sprovon të gjithë futbollistët.
Ndërsa sot edhe pse ishin prezent të gjithë futbollistët, Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi me stafin e tij, kanë marrë vendim se nuk kishte kushte për aktivitet në fushë, pasiqë ajo ishte e stërmbushur me dëborë.
” Në ditën e parë edhe pse kishte reshje të mëdha të dëborës, nga dëshira e madhe për të parë nga afër futbollistët arritëm disi ta zhvillojmë ndeshjen miqësore me Trepçën duke ju dhënë mundësi të gjithë futbollistëve të paraqiten në fushë, ndërsa sot ishte e pa mundur të zhvillosh aktivitet futbollistik në fushë, ku trashësia e dëborës arrinte 20 cm, por ishte edhe rrezik i madh pasiqë futbollistët në këto kushte mundën të lëndohen shumë rënd, stafit të 2Korrikut i falënderohemi për të gjitha përpjekjet e bëra që ne të akomoditohemi sa ma mirë”, ka bërë të ditur, Ramiz Krasniqi.
Siç dihet Përfaqësuesja e Kosovës U19 pritet me 16 shkurt të merr pjesë në një turne të madh futbollistik në Itali.
Ndërsa siç mësohet grumbullimi i radhës pritet të jetë rreth 25 marsit./rajonipress/


