“Bombat” e Ramës e Thaçit për konsum politik

Deklaratat e javës së kaluar, që u lëshuan si të ishin “bomba” diplomatike, nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për bashkim kombëtar, nëse rruga drejt BE-së mbetet e paqartë për Shqipërinë dhe Kosovën, sipas analistëve politikë, po shihen si deklarata joserioze dhe vetëm për konsum politik, presion i pavend, madje edhe shumë hipokrite, vetëm për efekte elektorale.
Maloku: Deklarime boshe mes krerëve shtetërorë të Kosovës e Shqipërisë
Deklaratat e javës së kaluar, që u lëshuan si të ishin “bomba” diplomatike, nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për bashkim kombëtar, nëse rruga drejt BE-së mbetet e paqartë për Shqipërinë dhe Kosovën, sipas analistëve politikë, po shihen si deklarata joserioze dhe vetëm për konsum politik, presion i pavend, madje edhe shumë hipokrite, vetëm për efekte elektorale.
Analistët politikë konsiderojnë se që të angazhohesh seriozisht dhe të punosh për interesa kombëtare, nevojitet para së gjithash përkushtim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për t’i bërë Kosovën e Shqipërinë shtete të forta të sundimit të ligjit dhe shtete ligjore dhe jo shtete të korrupsionit e krimit të organizuar dhe të kanabizimit kriminal, gjë që as njëri e as tjetri nuk e kanë dëshmuar këtë, përkundrazi kanë kapur të gjitha institucionet për qëllimet e tyre vetëm klienteliste, korruptive e shumë kriminale! Deklaratat e tyre joserioze vetëm prishin imazhin e shqiptarëve, pra të Kosovës dhe Shqipërisë, ngase as njeri e as tjetri këtë gjë që e thonë e bëjnë vetëm për efekte elektorale.
Korrupsioni vazhdon të jetë enorm në të dyja shtetet
Sipas analistit Blerim Burjani, këto deklarata shihen si lloj kushtëzimesh ndaj BE-së, por shton se edhe Kosova edhe Shqipëria duhet t’i kryejnë detyrat e tyre për të çarë rrugën drejt BE-së me veprime konkrete dhe jo me kushtëzime joserioze. “Shqipëria duhet të zhvillojë reformën pa hezitim në drejtësi dhe ta luftojë kriminalitetin, që është zhvilluar shumë në këtë vend, duhet ta shkëpusë ndikimin e politikës në ekonomi atje dhe ta hetojë me rrënjë pasurimin e çuditshëm të njerëzve të politikës. Kjo situatë është gati e njëjtë me zhvillimet politike, në drejtësi dhe ato ekonomike edhe në Kosovë. Në Kosovë nuk ka zhvillime shumë pozitive sa i përket plotësimit të kritereve dhe standardeve, Demarkacioni është problem i madh, edhe pse është më i lehti për t’u plotësuar”, është shprehur analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”.
Ai thotë se lidershipi politik kosovar shumë herë është ankuar për kushtet që ka përcaktuar BE-ja, madje kanë dhënë disa deklarata që ndërlidhen sipas zhvillimeve personale edhe të disa njerëzve në Kosovë. “Ky lidership po tregon se nuk po kanë vullnet për të ndryshuar shumëçka, për të bërë reforma, si në administratë publike, zhvillim ekonomik e fusha të tjera. Pra, ka shumë deklarime, të cilat nuk përputhen fare me zhvillimet e brendshme, si reduktimi i papunë- sisë etj.”, tha Blerim Burjani.
Madje, sipas tij, edhe sundimi i ligjit nuk është në nivelin e duhur dhe është pengesë tjetër në këtë proces, tepër serioz.
Flluska bore, që shkrihen shpejt
Të papranueshme dhe joserioze cilë- sohen këto deklarime edhe nga analisti Nexhmedin Spahiu, madje ai i cilëson këto deklarata të këtyre liderëve si një lloj patriotizmi krejtë- sisht i rrejshëm. “Jo vetëm që është patriotizëm i rrejshëm, në fakt anti-patriotizëm, por edhe budallallëk kulmor. Nuk është kurrfarë presioni ndaj BE-së. Bashkimi Kosovë-Shqipëri nuk rrezikon askënd, pos Kosovës e Shqipërisë. Bashkimi Kosovë- Shqipëri le që nuk e rrezikon Serbinë (Bashkimin Evropian jo se jo) po as Malin e Zi e Maqedoninë. Të vetmet, që do ta pësonin nga ky bashkim do të ishin Kosova e Shqipëria, të cilat përkundër ndihmës enorme të aleatëve të tyre nuk po mirëqeverisen. Nëse do të ndodhte ky bashkim, Prishtina do të trajtohej nga Tirana më keq sesa po trajtohet aktualisht Kukësi. Kjo në rast se Tirana do të ishte kryeqytet i këtij shteti. Nëse Prishtina do të ishte kryeqytet, atëherë Tirana do të trajtohej më keq sesa aktualisht po trajtohet Mitrovica. Duhet të jesh i droguar fort që të flasësh atë çfarë foli Edi Rama”, theksoi analisti politik Nexhmedin Spahiu.
Flluska bore mediale i quan këto deklarime edhe analisti politik, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku. “Deklarimet e krerëve shtetërorë në Shqipëri e Kosovë të bëra ditë më parë në lidhje me bashkimin kombëtar janë asgjë më shumë se flluska mediale, e kjo nisur nga fakti se as kryeministri Edi Rama e as presidenti Hashim Thaçi nuk e kanë stimuluar paraprakisht këtë bashkim. Përkundrazi që të dy kanë folur për bashkim kombëtar brenda Bashkimit Evropian, ndërsa tani bashkimin kombëtar po e konsiderojnë si presion ndaj BE-së për qasjen e saj ndaj Kosovës e Shqipërisë. Është më se e vërtet që Bashkimi Evropian ka pasur qasje dyfytyrësie edhe karshi Kosovës edhe karshi Shqipërisë. Bashkimi Evropian është në krizë të thellë e pa vizion së pari ndaj vetvetes, e mos të flasim ndaj Ballkanit Perëndimor. Janë po ashtu vetëm flluska mediale edhe këto deklarimet e Maja Kocijançiqit se “rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë të qartë evropiane”, është shprehur Maloku.
Ai shton se ka një paralelizëm të deklarimeve boshe mes krerëve shtetërorë shqiptarë për bashkim kombëtar dhe deklarimeve të zyrtarëve evropian për perspektivë të qartë evropiane për Ballkanin”. Kështu që asnjëra palë nuk bën dallime, kur janë në pyetje deklarimet e kota e për konsum medial”, theksoi Maloku për “Kosova Sot”.