Uji Dea

Boll më arrogancë

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Arrogancë, mujshi e prepotencë po tregon qeveria karshi grevës në arsim dhe kërkesave të sindikalistëve. Duhet të ketë dialog e komunikim, e jo injorim, sulme e linçim. Qeveria është përgjegjëse për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar. Albin Kurti e Arbërie Nagavci duhet të ndalen së aktruari se gjithçka është në rregull.

Në mungesë të një ftese për dialog me sindikatën e arsimit, viti shkollor në Kosovë ende nuk ka nisur. Mësuesit vazhdojnë grevën, e qeveria vazhdon të mos çajë kokën për situatën e krijuar. Për më tepër, përpiqet të aktrojë normalitetin, duke krijuar përshtypjen se në 11 komuna mësimi është duke u mbajtur. Një rrenë e madhe.

Plot arrogancë, mujshi e prepotencë po tregon ekzekutivi karshi situatës së krijuar, duke u barrikaduar në qëndrimin e vet se, thjesht, sindikata e arsimit duhet ta ndërpresë grevën dhe nxënësit t’i kthehen shkollës. Ndërkohë, as pala tjetër nuk lëviz nga qëndrimet e veta, por se përmend mungesën e një ftese nga institucionet për të biseduar se si të dilet nga kriza dhe cila është zgjidhja. Por, ftesa për sindikatat po mungon, ashtu si dhe gatishmëria për të gjetur alternativa që do ta zhbllokonin situatën e krijuar.

Në përgjithësi qasja e qeverisë së Albin Kurtit karshi sindikatave, sidomos asaj të Arsimit, nuk ka qenë miqësore. Një parti si Lëvizja Vetëvendosje, e cila sa ishte në opozitë i ngrinte në qiell sindikatat dhe bashkëpunonte më to, tash sillet krejt ndryshe. Militantë të partisë fyejnë, shajnë e linçojnë drejtuesit sindikalë, duke i akuzuar për bllokimin e procesit mësimor, ndërkaq qeveria as që e merr mundin që t’i ftojë në takim. Kështu, dëmi më i madh iu shkaktohet fëmijëve, të cilët privohen nga e drejta themelore për shkollim.

Sindikata e Arsimit po kërkon që mësuesve t’iu paguhen nga njëqind euro shtesë në muaj, deri sa të miratohet Ligji i Pagave. Me pakon e re të ndihmës zyrtarëve publikë, në mesin e të cilëve edhe mësuesve, është paraparë që gjatë katër muajve të ardhshë t’iu jepen nga 50 euro shtesë. Por, kjo masë nuk është marrë në konsultim me sindikatat. Ato janë injoruar.

Po që se kjo pagesë do të diskutohej paraprakisht me sindikatat, mbase greva do të ishte ndërprerë. Por, mungesa e komunikimit dhe injorimi na ana e qeverisë ka bërë që inatet të shtohen, qëndrimet të betonohen e nxënësit të dëmtohen.


Përtej linçimit të drejtuesve sindikalë, militantë të partisë në pushtet dhe vetë zyrtarë të saj kanë shfaqur haptaz dyshimet se sindikatat, me ndihmën e opozitës, po synojnë ta rrëzojnë qeverinë. Po që se vërtetohet një gjë e tillë, atëherë shteti i ka të gjitha mjetet në dispozicion që të marrë masa. Por, sulmet e linçimet ndaj drejtuesve sindikalë vetëm se ata po kërkojnë të përmbushen disa kërkesa, janë të papranueshme.

Në çdo vend normal të botës sindikatat organizojnë greva dhe bëjnë presion tek qeveritë që t’ua përmbushin kërkesat. Pas negociatave, zgjidhjet gjenden.

UBT

Kështu do të duhej të ishte edhe në Kosovë. Kërkesave të sindikatave do të duhej që qeveria t’iu përgjigjej me dialog, me negociata, për të parë se çfarë është e mundur të realizohet e çfarë jo. Por, nuk po ndodh kështu.

Në vend të negociatave, qeveria e Kurtit ka zgjedhur barrikadimin, arrogancën e injorimin. Në vend të dialogut, ka zgjedhur sulmet. Të gjitha këto në njëfarë paragjykimi të madh se sindikatat po yshten nga opozita, në mënyrë që të ndërrohet pushteti.

Kërkesat e sindikalistëve mund të mos jenë korrekte në raport me mundësitë financiare që ka vendi. Por, janë legjitime dhe si të tilla edhe duhet të trajtohen, duhet të negociohen, e jo të injorohen.


Në një situatë mosveprimi e mospune në shumë fusha, zyrtarë qeveritarë, përfshirë vetë kryeministrin Albin Kurti, po përpiqen të gjejnë “fajtorë kujdestarë”, përkatësisht armiq imagjinarë për t’i sulmuar e linçuar. Investimet kapitale në të gjithë sektorët thuajse janë në zero, gjendja ekonomike e sociale është rënduar, e kriza me rrymë pritet të rikthehet me ftohjen e motit. Në mungesë alternativash të dobishme për qytetarët, qeveritarët po zgjedhin të krijojnë situata të tilla, si kjo me krizën në arsim.

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj mund të jetë personi më i ligë në botë, por në këtë rast ai përfaqëson mijëra mësues dhe mbron interesat e tyre. Nëse qeveria konsideron se mësuesit po kërkojnë shumë dhe kërkesat e tyre janë vështirë të realizueshme, atëherë le të nis dialogun me ta. Sa më shpejt.

Kërkesat e sindikalistëve për takime me ekzekutivin nuk kanë marrë përgjigje me muaj dhe është e natyrshme që aty ku mungon komunikimi, kriza bëhet e pashmangshme.

Tashmë janë humbur shtatë ditë mësimi për nxënësit dhe ky duhet të jetë alarm për qeverinë që të veprojë për t’i dhënë zgjidhje situatës së rëndë. Albin Kurti e Arbërie Nagavci nuk mund të vazhdojnë së aktruari se gjithçka është në rregull.