Bojkoti vazhdon, opozita nuk shkon në seancë

Pas bojkotimit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën” edhe Lëvizja “Vetëvendosje” ka vendosur që të mos marrë pjesë në seancën plenare të së enjtes në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse tri subjektet opozitare pas më shumë se gjashtë muajsh të bllokimit të seancave përmes hedhjes së gazit lotsjellës, do ta ndryshojnë formën e protestimit kundër Qeverisë “Mustafa”.
Në anën tjetër përfaqësuesit e Qeverisë thonë se opozita duhet të kthehet në Kuvend, por pa gaz lotsjellës. Ndërkohë, sipas analistëve, bojkotimi i punës së Kuvendit nga opozita e rrit presionin për dorëheqje te Qeveria.
Zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, duke mos dashur të flasë më gjatë për këtë çështje, vetëm e ka konfirmuar për “Zërin” se deputetët e këtij subjekti nuk do të marrin pjesë në seancën e së enjtes.
Kurse shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj – Bujupi, ka thënë se kjo parti konsideron se kjo legjislaturë është jolegjitime, prandaj edhe ka vendosur që të mos marrë pjesë në punët e Kuvendit.
“Konsiderojmë që Kuvendi i cili nuk mbrojti sovranitetin, integritetin, territorin e vendit, nuk e ruajti Kushtetutën nga shkeljet dhe nuk kërkoi llogaridhënie nga shkelësit as pas 23 dhjetorit është jolegjitim. Andaj qëndrimi i AAK-së është i njohur. Ne nuk marrim pjesë në seanca pasi kemi dalë nga Parlamenti”, ka deklaruar Kadaj – Bujupi.
As deputetët e “Nismës për Kosovën” nuk do të marrin pjesën në punën e Kuvendit./zeri/