Eko Higjiena

Bogujevci në KiE: Këto shenja në duar i kam nga regjimi serb, e papranueshme të sulmohemi ende

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ishte sot pjesë e debatit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku u diskutua për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, shkruan Reporteri.net.

Në kundërpërgjigje të përfaqësueses serbe, Biljanta Pantiq, e cila po në këtë diskutim pretendoi se në Kosovë po ndodh spastrim etnik dhe se tensionet janë ngritur si pasojë e “regjimit të Albin Kurtit”, Bogujevci u çua në këmbë duke treguar shenjat në duar që i ka nga plumbat që kishte marrë nga ushtria serbe si 13-vjeçare.

Bogujevci tregoi për përjetimin e saj, duke theksuar se autorët e sulmit të asaj kohe sot janë pushtetarë në Serbi dhe të njëjtit nuk kanë kërkuar falje asnjëherë.

Uji Dea

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atëbotë ishte udhëhequr nga njerëzit që ende udhëheqin Serbinë tash. Si 13-vjeçare unë mbeta e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba. Sot kam ende këto shenja në dorë, e pjesët tjera të trupit tim. E të shoh 25 vjet pas, që vazhdimisht sulmohemi verbalisht dhe në mënyra tjera, së fundi edhe me sulm terrorist, është e papranueshme. Mjaft është mjaft. Kurrë nuk ka pasur kërkim falje, nuk ka pasur asgjë të ndërmarrë për të sjellë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tash. Njerëzit që kryen sulm terrorist më 24 shtator janë në Serbi, e nuk po gjykohen”, tha Bogujevci.

Kujtojmë se Bogujevci i mbijetoi masakrës së 28 marsit, të vitit 1999, ku nga njësi paraushtarake serbe u vranë 16 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu. /Reporteri