Bogdani hetohet nga policia italiane

Tjetër skandal ka ndodhur në futbollin italian, ku janë përfshirë pothuajse të gjitha skuadrat nga Serie A dhe B. Prokuroria e Napolit nëpërmjet një komunikate për shtyp ka lajmëruar se po heton 41 klube futbolli, nga të cilat 18 në Serinë A, 53 futbollistë e ish-futbollistë si dhe 12 menaxherë.
Policia Financiare ka zbarkuar në selitë e klubeve dhe agjentëve të lojtarëve të implikuar për të bërë kontrollet e nevojshme në funksion të hetimeve të nisura faktikisht që vite më parë.
Ky hetim e ka prekur edhe mesfushorin e Milanit, Antonio Nocerino, atë të PSG-së, Ezequiel Lavezzi dhe sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë, Erjon Bogdani. I kontaktuar nga mediat shqiptare, sulmuesi ka treguar se nuk është i informuar për këtë gjë, ndërsa nuk i prishë fare punë që hetohet.
“Unë nuk di gjë fare. Të them të drejtim nuk kam asnjë problem karshi hetimit. Po t’i shikosh vitet e fundit të karrierës sime, kam qenë gjithnjë në përfundim të kontratës”, u shpreh Bogdani.