Bogdani: Fitojmë 2-0
Ish-sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Erion Bogdani, ka treguar parashikimin e tij për ndeshjen Shqipëri Armeni.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bogdani mes tjerash ka bërë një analizë për Kombëtaren në prag të ndeshjes mjaft të rëndësishme ndaj Armenisë, që zhvillohet në Elbasan të dielën.
Ai ka komentuar situatën e lojtarit nga Kosova, Shkëlzen Gashi i cili, përkundër se është lojtari me më së shumti gola në këtë sezon nga Kombëtarja në klubet respektive, nuk po gjen vend në formacion.
“Gashi është një lojtar shumë i mirë, por nuk është as mesfushor dhe as sulmues. Është diçka mes këtyre të dyjave ose më mirë është një sulmues i dytë, ashtu sikundër luan edhe te Baseli. Por, pikë së pari duhet të kuptojmë se Shqipëria nuk është Baseli dhe në rastin tonë, Gashin e penalizon moduli, skema e lojës”, deklaroi Bogdani.
“Unë e shikoj si shumë të vështirë që ai të luajë titullar me skemën e De Biazit dhe kjo nuk lidhet as me zgjedhjet e trajnerit dhe as me formën e lojtarit. Sakaq, Gashi mund të aktivizohet në pjesën e dytë, në varësi të rezultatit dhe të bëjë diferencën. Nuk i dihet sesi shkojnë gjërat dhe Gashi mund të aktivizohet në një rast kur mund të jemi në disavantazh ose ku do duam ta fitojmë ndeshjen”, shtoi ai.
Pasi Mavraj është në dyshim, ai është pyetur nëse preferon më shumë Currin apo Ajetin në vend të tij.
“Absolutisht Currin. Përtej problemeve fizike që ka pasur, unë mendoj se në mbrojtje, sidomos në qendër, duhen gjithnjë lojtarë me eksperiencë dhe Currit kjo gjë nuk i mungon”, theksoi Bogdani.
Në fund, ai parashikoi dhe rezultatin e ndeshjes.
“Fitojmë 2-0 dhe meqë dhashë edhe rezultatin, po lëviz pak nga vendi (qesh)… nga nesër (sot) do shkoj pranë Kombëtares, pasi dua që të kontribuoj sadopak në motivimin e tyre. E di që kjo skuadër mund të shkojë shumë larg dhe me një fitore ëndrra për në Europian do vijë drejt realitetit”, zbuloi Bogdani.


