Uji Dea

“Bloomberg” pesë vendeve të BE-së: Njiheni Kosovën, ose paguajeni çmimin

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Në një artikull të publikuar në agjencinë e lajmeve “Bloomberg”, autori Marc Champion, ka kërkuar që 5 vendet anëtare të BE-së të mos e bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata që janë vitale si Europol, ose vet këto vende do ta paguajnë çmimin.

“Bloomberg” po ashtu sjell edhe disa deklarata të Kryeministrit Mustafa i cili çështjen e anëtarësimit në Europol dhe Interpol e sheh të rëndësishëm edhe për shkak të kosovarëve që kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak për të luftuar në krah të ISIS.

Tetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, pesë shtete të Bashkimit Europian ende refuzojnë ta njohin atë. Ato duhet të lëshojnë pe. Ato janë duke kontribuar për fundosjen e ekonomisë dhe sigurisë në zemër të Ballkanit – dhe në qoftë se historia vazhdon të mbetet udhëzues për këtë, kjo është një ide e keqe.

Gjatë një bisede me Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa javën e kaluar kur ai ishte për vizitë në Mbretërinë e Bashkuar shkarazi u përmend se shteti i tij nuk mund t’i bashkohet rrjetit policor të ndarjes së informacioneve, Europol, derisa është duke hequr të zitë e ullirit për tu anëtarësuar në Interpol. Kjo i dëmton edhe vet ato vende që janë duke bërë këtë bllokadë.

Unë nuk po them se shkëputja e Kosovës nga Serbia ishte një gjë e mirë. Përkundrazi, vendimi i Presidentit së SHBA-së, Xhorxh W. Bush për të mbështetur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, mendoj që ishte njëra ndër gjërat më të këqija që ai bëri, thotë Marc Champion.

Kjo i bëri të pakuptimta të gjitha arsyetimet e komunitetit ndërkombëtar për ndërhyrje ushtarake në ish-Jugosllavi: Për të parandaluar ndryshimin e kufijve me forcë. Rusia e përdori precedentin e Kosovës disa muaj më vonë në Gjeorgji.

Por tani, kjo është një histori. Kosova nuk do të kthehet më në Serbi. Më shumë se gjysma e të gjitha kombeve e kanë njohur pavarësinë e këtij shteti të ri. Në Evropë, 80 për qind e kanë bërë këtë, dhe me një arsye të mirë: Dështimi për ta integruar Kosovën do ta vejë sigurinë e tyre në rrezik.

Kosova, një komb me 1.8 milionë banorë, ka përqindjen më të lartë të qytetarëve të cilët kanë shkuar të luftojnë përkrahë xhihadistëve në Siri dhe Irak; 232 janë regjistruar vetëm vitin e kaluar, por padyshim se deri më tani ky numër është më i madh. Krimi i organizuar ndërkufitar është i ngulitur, natyrisht i ndihmuar nga korrupsioni, e në disa raste, edhe bashkëpunimi me nivelet e larta shtetërore. Kështu që nuk ka kuptim të lihet në errësirë kjo lidhje ndërmjet inteligjencës së Europës dhe zinxhirit të informacionit, transmeton Express.

“Njerëzit shkuan në Siri dhe Irak, ndërsa ne duhet të përgatitemi për t’u marrë më seriozisht me pasojat, kur ata të kthehen. Për këtë ne kemi nevojë për bashkëpunim rajonal, andaj ne duhet të kemi qasje në organizatat ndërkombëtare të tilla si Interpol. Por për ne, procesi i anëtarësimit është tej zgjatur”, thotë Mustafa.

Për EUROPOL pengesa është mos njohja e Kosovës nga 5 shtetet anëtare të Bashkimit Europian siç janë: Qiproja, Greqia, Sllovakia dhe Spanja. Ndërsa për Interpolin ky është problem më i gjerë:

RCCOLA

“Në nivel ndërkombëtar, Rusia dhe Kina kanë shkaktuar mjaft probleme për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, e më pas vendet tjera u rreshtuar përkrah tyre. E njëjta ka ndodhur edhe me anëtarësimin e Kosovën në UNESCO”, thotë Mustafa.

Rusia vështirë që do ta ndryshojë mendjen – të paktën jo derisa pjesa tjetër e botës e njeh Krimenë si territor rus. Kështu që ndoshta kurrë. Por, ajo që ka më shumë rëndësi, megjithatë, është diçka që Rusia nuk mund ta bllokojë; Integrimin e Kosovës në programet dhe strukturat e Bashkimit Europian.

Për këtë vendim, nuk mund të thuhet se koha është e pakufizuar që Kosova ta marrë këtë të drejtë. Megjithatë, nacionalistët e Ballkanit vetëm se janë në rritje, ashtu si kudo në Europë. Në Kosovë, janë ata në partinë e quajtur Vetëvendosje, e cila ka kërkuar që Qeveria Mustafa të jap dorëheqje, e kjo lidhur me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE, që u jep autonomi të kufizuar serbëve që jetojnë në Kosovë, në një zonë në afërsi të kufirit me Serbinë. Ata vazhdojnë të jenë të zemëruar, gjithashtu, mbi marrëveshjen e qeverisë për zgjidhjen e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Ligjvënësit e opozitës në mënyrë të përsëritur kanë lëshuar gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës:

“Kur ne, kryeministrat e rajonit flasim me njëri-tjetrin, të gjithë jemi të fokusuar për rritjen e tendencave nacionaliste që ne i shohim në Ballkan. Ne gjithashtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i lejojmë që ata ta marrin vendin në dorë”, thotë Mustafa.

Thirrjet populiste po nxisin reagime te ndjeshme. Papunësia në Kosovë është 35 për qind, e që e bën Kosovën të jetë vendi më i varfër në Ballkan, e kjo për shkak të izolimit të saj në aspektin e tregtisë, investimeve dhe udhëtimeve. Kjo nga ana tjetër ka nxitur që qindra e mijëra kosovarë të kërkojnë punë jashtë vendit – në vendet e Bashkimit Europian.

Mustafa ishte në Londër për tu takuar me kryesuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila tashmë po ndihmon në ndërtimin e një autostrade drejt Serbisë dhe riparimin e hekurudhës që lidh Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Ai gjithashtu dëshiron të aplikojë në Organizatën Botërore të Tregtisë, por kjo mund të jetë e pamundur për shkak se ajo duhet të vendoset nga votimet e vendeve anëtare të OBT’së.

Kohët e fundit, Kosova ka kërkuar t’i bashkohet edhe UNESCO-s, organizatës për mbrojtjen e trashëgimisë së Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, në këtë rast Rusia ndihmoi Serbinë ta bllokojë këtë anëtarësim, kurse Kosova ra për shkak të tri votave kundër anëtarësimit. Popullsia e Kosovës mund të jetë më shumë se 90 për qind shqiptare, por ajo gjithashtu ka shumë kisha ortodokse serbe që kanë nevojë për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e UNESCO-s.

Është e vështirë të imagjinohet se Spanja, e cila e ka trajtuar keq lëvizjen e saj separatiste në Kataloni, duke i hapur rrugë ndarjes së njëanshme si Kosova, madje edhe në këtë moment.

Më së paku, Spanja bashkë me miqtë e saj të BE-së duhet ta ndalin bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata jetike. Përndryshe ka më shumë për t’u humbur sesa simbolika.