RCCOLA

Bloomberg, interneti dhe Kleçka

/ 4 minuta lexim

Nga Naser Sertolli – Në New York, numri i vrasjeve nga armët e zjarrit ka shënuar një rënie gati rekorde. Gjatë tetë muajve të parë të këtij viti numri i vrasjeve në përgjithësi, por i atyre nga armët në veçanti, ka rënë për afër 30 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Shtoji kësaj faktin se më 2012, numri i vrasjeve atje ka qenë më i ulëti në histori.

Çka ka ndodhur që kriminaliteti të bjerë kaq shumë, kur dihet se kemi të bëjmë me një qytet e vend ku armëmbajtja është pjesë e traditës. Përgjigjja është e thjeshtë dhe ka vetëm një emër: Michael Bloomberg. Prefekti i “City”-t njihet si kundërshtar i madh i armëve.

Për suksesin në uljen e nivelit të dhunës së armëve, me ç’rast, siç ka thënë vetë ai, “New York është bërë qyteti më i sigurt në mesin e qyteteve të mëdha të vendit”, Bloomberg ka miratuar politika efikase të sigurisë, por të cilat janë kontestuar si nga opinioni ashtu edhe nga gjykata. Madje, njëra prej tyre, praktika e ndalimit dhe e kontrollimit trupor të qytetarëve nga policia në mes të rrugës («stop and frisk»), është shpallur si e paligjshme nga një gjykatë më 12 gusht.

Kësaj mase, shoqëria i ka dhënë karakter edhe racist, meqë supozohej se në shënjestër të kontrolleve nëse kishin armë kanë qenë kryesisht zezakët dhe hispanikët. E Michael Bloomberg menjëherë ka njoftuar se do ta apelojë këtë vendim të drejtësisë, meqë ndërprerja e kësaj praktike, “e cila ka shpëtuar shumë jetë”, do të shkonte kundër rënies së kriminalitetit.

Masa tjetër që ka ndikuar në rënien e kriminalitetit ishte konfiskimi i armëve, që nga qytetarët mbaheshin në mënyrë të paligjshme. Vetë kryebashkiaku në një konferencë për shtyp javën e kaluar ka njoftuar për konfiskimin e një numri rekord syresh. Autoriteteve të rendit në këtë drejtim u kanë ndihmuar rrjetet shoqërore të internetit. Sidomos Instagrami.

Fundamenti

Aty njerëzit postonin fotografi e video-incizime duke manovruar me armë të ndryshme. Ka bërë bujë sidomos rasti i një këngëtari të muzikës rep, i cili me fotografi të postuara në llogarinë e tij mburrej me trafikimin e armëve. Autoritetet do ta kuptojnë se studio e këtij 26-vjeçari në të vërtetë shërbente si vend i shitjes dhe blerjes së armëve. Dhe, brenda një viti kanë arritur ta shpartallojnë një rrjet të tërë, duke konfiskuar 254 armë.

Edhe kjo masë është kritikuar nga opinioni, meqë supozohet se autoritetet kanë ndërhyrë në privatësinë e qytetarëve, duke kontrolluar llogaritë e tyre në rrjetet shoqërore të internetit. Për autoritetet e New Yorkut kjo çon pak peshë. Më e rëndësishmja është jeta e qytetarëve. Një krahasim i vogël për ta mbështetur këtë: në New York, numri i personave të vrarë në tetë muajt e parë të vitit 2013 është për dymbëdhjetë herë më i vogël se në të njëjtën periudhë të vitit 1990.

A mund të ndiqet e njëjta politikë e sigurisë edhe në Kosovë? Sigurisht që ajo masa e parë, kontrollimi i qytetarëve, ose i dasmorëve, në mes të rrugës, nuk do të mirëpritej nga askush, për shkak se do të na asocionte në një përvojë të hidhur, të përjetuar pak kohë më parë. Ndërsa, e dyta, konfiskimi i armëve ilegale pas publikimit të fotografive dhe incizimeve në rrjete sociale të internetit do të mund të ishte më e përshtatshme.

Gjithsesi, ideja nuk është nxitja e autoriteteve që të fusin hundët në llogaritë private të qytetarëve në rrjetet më të përdorura te ne, Facebook dhe Twitter. Por, pse të mos shfrytëzohen, për shembull, postimet në YouTube? Aty ka përplot raste kur qytetarët tanë krenohen duke i ekspozuar armët dhe duke shtënë me to.

E policia jonë do të mund të mburrej me numrin e armëve ilegale që do të konfiskonte sikur të bënte pak mund e të vizitonte në Kleçkë atë grupin e “evropianëve të rinj”, siç i quajti me ironi një transmetues me renome ndërkombëtare, teksa të dehur dhe nën tingujt e çiftelisë e sharkisë harxhuan një sasi municioni, të cilën zor që e ka forca të cilën e shohim si ushtrinë tonë.