Uji Dea

Blomeyer: Pishat, më të bukura se barrikada e shëmtuar

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Peter Blomeyer, duke folur për rikthimin e barrikadës në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë, tha se `ndoshta do të mund të thuhet se lulet dhe bimët halore janë më bukura se barrikada e shëmtuar. `Gjithsesi ka munguar komunikimi.. Duhet të flitet për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët.

Ndonëse kemi disa halorë mbi urë, ato nuk do të fundosin botën. Na duhet zgjidhje për të shfrytëzuar urën`, tha Blomeyer në një intervistë për RTK.

“Ngjarjet e fundit në Mitrovicë na japin shkas për brengosje. Ne e kemi parë që ka pasur një demonstratë, e cila ka eskaluar. Demonstrata është e drejtë themelore dhe është plotësisht në rregull që njerëzit të dalin në rrugë dhe t’i deklarojnë haptazi pikëpamjet e tyre. Mirëpo ajo që nuk duhet të ndodhë, është çfarëdo forme e dhunës. Për këtë arsye unë mund vetëm të bëj thirrje tek të gjithë për përmbajtje. Çështja se çfarë do të ndodhë me urën, duhet të sqarohej në mes të dy palëve dhe do të duhej pritur, se çfarë do të ndodhë”, tha ambasadori gjerman për RTK.

Ai tha se “vënia e çfarëdo lloj ultimatumi, apo zhvillimi i akteve të dhunës, do të ishte plotësisht e gabueshme. Mendoj gjithashtu se nuk do të ishte mirë që policia, EULEX-i, apo KFOR-i të viheshin në situatë të vështirë që kur do t’iu duhej ta zgjidhnin me dhunë. Për këtë arsye unë bëj thirrje për maturi”.

Në konstatimin e gazetarit se serbët kanë provokuar me zëvendësimin e barrikadës me vazo lulesh, apo „parkun e paqes”, Blomeyer tha se “Ndoshta do të mund të thuhej se është më bukur të ketë lule dhe bimët halore aty, në vend të një barrikade të shëmtuar. Por ajo çfarë ka munguar gjithsesi është komunikimi me njëri-tjetrin. Kjo është gjëja më e rëndësishme pikërisht, kur jeton në të njëjtin qytet që duhet të flitet mes vete dhe të gjinden zgjidhje të përbashkëta. Mendoj se kjo duhet të ndodhë tani”.

“Do të ishte dashur që fillimisht të komunikohet mes vete, se çfarë të bëhet në atë urë, por kjo nuk do të thotë se tani është vonë. Tani asgjë e rëndë nuk ka ndodhur. Ndonëse kemi disa halorë të vendosur mbi urë , nga ato nuk fundoset bota. Mendoj se tani duhet të flitet mes vete dhe së bashku të gjendet një zgjidhje për shfrytëzimin e kësaj ure”, tha ai.

Mobi Casa

Ai ka thënë se të gjitha palët duhet kontribojnë në atë që situata të qetësohet dhe të mos eskalojë. “Nuk duhet hedhur vaj zjarrit dhe kjo vlen si për popullatën, e cila jeton atje, ashtu edhe për politikanët. Fjalimet e zjarrta nuk ka shpien askund. Ajo, çfarë nga ndihmon është dialogu mes palëve”.

Blomeyer nuk e vë në dyshim vazhdimin e dialogut duke thënë se “Nuk kemi alternativë tjetër, përveç dialogut”.

“Na nevojitet dialogu, na nevojitet shkëmbimi dhe nëse ka përpjekje për të zhvilluar qytetin, atëherë kjo është në interes të popullatës si në jug, ashtu edhe në veri. Bashkërisht mund gjithmonë të arrihet diçka, por nëse vihemi kundër njëri-tjetrit humbasin të dyja palët”, tha Blomeyer.

Për situatën e krijuar Blomeyer mendon se nuk do të ishte e udhës për të kërkuar fajtorët. “Në vend të kësaj do të duhej koncentruar në atë se si të tejkalohet gjendja në mënyrë pozitive. Megjithatë ata, të cilët janë fajtorë për aktet e dhunës, do të duhej të viheshin përpara përgjegjësisë dhe aktet e tilla assesi nuk do të duhej të përsëriteshin”.

Blomeyer mendon se Mitrovica ka mundësi të mirë për t’u zhvilluar pozitivisht.

“Ka mjaft potencial atje. Tani kemi edhe një situatë të re që ka filluar nëpërmjet dialogut dhe ka poashtu edhe një gatishmëri të madhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar. Ky është një shans i madh për zhvillim për të gjithë qytetin dhe për këtë arsye është e nevojshme që të dyja palët të kuptojnë rëndësinë e gjërave të përbashkëta dhe të mos lëshohen sërish në konfrontime të pafrytshme për çështje, të cilat në të vërtetë nuk ia vlen, siç është për shembull çështja e urës. Atë duhet zgjidhur si të rritur, nëpërmjet një dialogu. Duhet të arrihet pajtim dhe nuk do të duhej të këmbëngulet në një pozicion të caktuar. Mandej mendoj se do të ketë përparim edhe në Mitrovicë“, tha ambasadori Blomeyer. /RTK/