Hidromorava

Blomeyer-klasës politike: Interesat e vendit përpara atyre partiake

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Ambasadori gjerman, Peter Blomeyer, i cili edhe pak ditë përfundon misionin e tij në Kosovë, thotë në një intervistë për “Kosova Sot” se në fushatën parazgjedhore Gjermania ka qenë absolutisht neutrale, sikurse që ruan edhe tani neutralitetin gjatë formimit të Parlamentit dhe Qeverisë. Rekomandon partitë politikë që të dalin mbi interesat e partive në interes të vendit, ndërsa ka përshtypjen se klasa politike është e pjekur dhe do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për formimin e institucioneve të reja.

Kurse, sa i përket largimit të tij dhe gjendjes politike aktuale ne Kosovë, ai ka thënë se duhet të punohet edhe shumë dhe të respektohen vendimet e marr nga institucionet e drejtësisë.

Fundamenti

“Vitin e kaluar kemi përjetuar për herë të parë që zgjedhjet komunale janë mbajtur në mbarë Kosovën dhe sivjet për herë të parë janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në tërë Kosovën dhe të dyja proceset zgjedhore kanë ecur mbarë. Kjo është një dëshmi e pjekurisë politike. Tani duhet zgjidhur disa probleme kushtetuese lidhur me konstituimin e Parlamentit dhe krijimin e Qeverisë. Lidhur me këtë dua të theksoj që është diç tërësisht normale, kur në një shtet të ri, si Kosova, të paraqiten pyetje të tilla lidhur me interpretimin e Kushtetutës, dhe kur të gjithë luftojnë që të bëhet një interpretim i tillë. Përgjigjet në këto pyetje duhet të gjenden nga institucionet kompetente kosovare dhe jo nga jashtë. E rëndësishme është vetëm që të gjithë t’i respektojnë vendimet e këtyre institucioneve. Kjo ka të bëjë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo do të ketë të bëjë edhe me vendimet e presidentes, të cilat ajo do t’i marrë duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Blomeyer.

“Më bën të jem optimist, që të gjitha partitë kanë premtuar se do ta respektojnë sundimin e ligjit dhe institucionet kompetente. Lidhur me këtë dua t’u apelojë të gjithë politikanëve përgjegjës në këtë vend: Mos e shikoni vetëm atë që u hyn në punë partive tuaja. Shikoni edhe atë, se çfarë kontributi mund të jepni me qëllim që institucionet e vendit të funksionojnë, që të kemi një Parlament funksional, që të kemi një Qeveri të aftë për veprime. Për shtetin e Kosovës tani është jashtëzakonisht e rëndësishme, që vetvetiu të formojë institucione funksionale, pa u ndikuar nga jashtë. Kjo duhet të qëndrojë edhe mbi interesat partiake: Së pari Kosova”.