Uji Dea

Bllokuesit e reformës do të denoncohen publikisht

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion të premten do të nisin me punë konkrete për ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, beson se qysh javën e ardhshme ligji do të jetë i gatshëm për lexim të parë në seancë. Ai ka thënë se nëse dikush bën bllokadë në këtë proces, do ta denoncojë para qytetarëve.

Reforma zgjedhore pritet që shumë shpejt të përfundojë dhe të procedohet për miratim në Kuvend. Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, ka thënë në një intervistë për Tribunën se në dy seanca pune, një të premten e kësaj jave dhe një në ditët e ardhshme, reforma zgjedhore do të përmbyllet dhe do të procedohet për Kuvend.

Problemet kryesore që pritet të jenë pjesë e debatit gjatë ndryshimeve të ligjit për zgjedhje, sipas Gashit, do të jenë: vota me kusht, vota me postë dhe pragu zgjedhor. Gjatë ndryshimit të Ligjit për zgjedhje, Gashi pret se mund të ketë përplasje, por beson se në fund do të votohet dhe do të merret vendimi në Komision.

Duke folur për ndryshimet substanciale në reformën zgjedhore, ai ka thënë se nuk kanë mundur të bëhen për shkak të kërkesave të minoriteteve për vendet e rezervuara. “Ne kemi hequr dorë prej këtyre ndryshimeve si rezultat i kërkesës dhe bllokimit nga komunitetet që kërkojnë t’u vazhdohen vendet e rezervuara. Ne nuk jemi të gatshëm që t’i vazhdojmë vendet e rezervuara dhe nuk do t’i vazhdojmë”, ka thënë Gashi ndër të tjera.

Tribuna: Tashmë keni filluar të merreni me plotësimet dhe ndryshimin në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Për sa kohë pretendoni se do të përmbyllet reforma zgjedhore?
Gashi: Besoj se shumë shpejt ligji do të jetë i gatshëm, sa i përket punës në komision tonë parlamentar. Pastaj, mbetet çështje e vullnetit të Kuvendit se kur do ta procedojë. Ne, besoj se brenda javës së ardhshme do ta kemi të gatshëm ligjin për lexim të parë.

Tribuna: Cilat i shihni problemet kryesore në ligjin aktual e të cilat mendoni se duhet të ndryshojnë gjatë këtij procesi të reformës?
Gashi: Problem kryesor është vota me kusht, vota me postë, pragu zgjedhor dhe pak elemente tjera që kanë të bëjnë edhe me mundësinë e zgjedhjeve, listën e votuesve dhe të tjerë.

Tribuna: Sipas rekomandimeve të rëndomta të Komisionit të Venecias, pas miratimit të Ligjeve për zgjedhjet e përgjithshme, ato ligje duhet të presin gjashtë muaj për të hyrë në fuqi. A do t’i përfillni këto rekomandime dhe kur mendoni se mund të fillojë zbatimi i ligjit te ne?
Gashi: Besoj se nuk ka ndryshime substanciale aq të mëdha sa për t’u marrë në konsideratë ky rekomandim. Mendoj se këto ndryshime që po i bëjmë, janë ndryshime që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe avancimin e sistemit e jo me ndryshim të sistemit. Pra në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndryshim të sistemit. Mendoj se ky rekomandim i Komisionit të Venecias bëhet për ato raste kur vendoset të ndryshohet sistemi zgjedhor.

Tribuna: Domethënë Kosova po e bën një ndryshim shumë të vogël në Ligjin për zgjedhjet. A mund të quhet kjo reformë zgjedhore kur nuk do të ndryshohen asnjë nga çështjet e kritikuara gjatë viteve të kaluara e që ishin identifikuar si të meta në proceset zgjedhore në Kosovë? Po ashtu me këtë reformë nuk do të preket fare Kushtetuta?
Gashi: Varet çka konsiderojmë reformë dhe çka konsiderojmë formë. E rëndësishme është që ne e kemi qëllimin e përbashkët që ta avancojmë ligjin dhe të garantojmë që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike. Ky është objektivi kryesor. Pastaj, reforma si e tillë, besoj se në kuptimin e përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve, elementi kryesor është që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike dhe të përfaqësohet në mënyrën më të mirë të mundshme vullneti i qytetarëve. Elementet tjera janë jo relevante.

Eco Higjiena

Tribuna: Kemi dëgjuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, e cila i ka quajtur sipërfaqësore të gjitha ndryshimet e bëra për ato për çfarë janë pajtuar liderët e subjekteve politike në reformën zgjedhore?
Gashi: Është e vërtetë që janë sipërfaqësore në kuptimin e ndryshimeve sepse nuk do të ketë ndryshim të zonave, nuk do të ketë ndryshim të listës e të tjera ndryshime që janë elemente të ndryshimeve edhe kushtetuese. Ne kemi hequr dorë prej këtyre ndryshimeve si rezultat i kërkesës dhe bllokimit nga komunitetet që kërkojnë t’u vazhdohen vendet e rezervuara. Ne nuk jemi të gatshëm që t’i vazhdojmë vendet e rezervuara dhe nuk do t’i vazhdojmë.

Tribuna: Për shkak të këtyre reformave ju keni hequr dorë edhe nga ndryshimet për mënyrën e zgjedhjes së presidentit?
Gashi: Po kjo është arsyeja!

Tribuna: Si do të procedohet tash reforma zgjedhore. Deri tash keni mbajtur dy mbledhje në Komisionin për Legjislacion për reformën por ende asnjë çështje konkrete nuk është shtruar në mbledhje. Si do të vazhdoni?
Gashi: Për ditën e premte të kësaj jave është thirrur mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe aty do të fillojmë shqyrtimin nen për nen të Ligjit. Ku ka vërejtje do të rregullohen. Ku nuk ka vërejtje, do të kalohen. Besoj që me dy seanca të tilla do të përfundohet dhe Ligji do të jetë i gatshëm për seancë të Kuvendit.

Tribuna: Përse besoni se me dy seanca pune në Komision do të përfundojë ndryshimi i Ligjit. A besoni se nuk do të ketë probleme në punët e Komisionit kur dihet se qysh në fillim ka pasur përplasje mes deputetëve të subjekteve në Komision?
Gashi: Po unë pres se do të ketë përplasje, mirëpo besoj se në fund do të votohet dhe do të merret vendimi në Komision.

Tribuna: Sa kanë ndikim liderët e partive tek anëtarët e Komisionit për Legjislacion për reformën zgjedhore? Ju për vete a keni konsultime me kryetarin e partisë?
Gashi: Normalisht se ka konsultime sepse janë qëndrime politike dhe vendimet normalisht mund të jenë të koordinuara. Mirëpo edhe në këtë rast duhet të identifikohet se kush është bllokues i procesit të avancimit të Ligjit dhe avancimit të interesit qytetar për përfaqësim demokratik. Nëse bllokues është shumica ose nëse është PDK-ja ose nëse është një parti tjetër do të shohim se kush është. Le ta dinë qytetarët e Kosovës se cila parti po e bllokon reformën.

Tribuna: Në këtë periudhë të punës së Komisionit për Legjislacion, a e shihni të nevojshme mbajtjen e ndonjë takimi mes liderëve të partive për reformën zgjedhore?
Gashi: Nuk ka shumë rëndësi a takohen më a jo. E rëndësishme është që të përfundojë ndryshimi i ligjit. Arsyeja e takimeve më herët mes liderëve mendoj se ka qenë për shkak të nevojës së realizimit të një reforme më të thellë. Në kuadër të idesë së reformës më të thellë është tentuar që të jetë një konsensus më i madh politik. Mirëpo, teknikisht ka qenë veprim i gabuar sepse e ka shpërqendruar vëmendjen nga objekti i ligjit dhe është trajtuar komplet politikisht tema, ndërkohë që ka pasur mundësi të trajtohet politikisht dhe të rregullohet teknikisht ligji.

Tribuna: Kohëve të fundit janë shtuar zërat se vendi mund të shkojë shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme. A është e gatshme LDK për ato zgjedhje, edhe nëse mund të bllokohet sërish reforma?
Gashi: Çdo parti serioze në çdo kohë është e gatshme për zgjedhje. Unë besoj se LDK është e gatshme për çfarëdo zgjedhjesh. Nëse shkohet në zgjedhje pa reformë, risku do të jetë më i madh por në politikë duhet të merren edhe risqe.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.