Eko Higjiena

Blloku s’i ka numrat cilësorë

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Ambasadori Britanik në Kosovë, Ian Cliff, një ditë pasi Gjykata Kushtetuese anuloi zgjedhjen e Isa Mustafës Kryeparlamentar, pasi konstatoi shkelje të Kushtetutës, ka dhënë një mesazh për liderët politikë që synojnë krijimin e Qeverisë.

Ai ka thënë qartë se Lista Serbe do të duhej të jetë pjesë e Qeverisë, por nuk do të ishte mirë të jetë faktor përcaktues i krijimit të saj.

“Do të ishte mirë që Lisa Serbe të bëhet pjesë e Qeverisë. Por, mendoj se Lista Serbe duhet të presë dhe të shohë se si do të shkojnë negociatat për krijimin e Qeverisë mes partive shumicë shqiptare dhe pastaj eventualisht t’i bashkohen edhe ata. Nuk mendoj se është gjë e mirë që Lista Serbe të jetë partia vendimtare për Qeverinë e ardhshme”, ka thënë Ambasadori Cliff, në një intervistë për Kohën Ditore.

PDK është shprehur se vendi ka nevojë për Qeveri Gjithëpërfshirëse dhe ajo favorizon këtë zgjedhje për ndërtimin e institucioneve.

Blloku Opozitar LDK-AAK-Nisma, ndërkaq, i cili ka përjashtuar çdo mundësi për bashkëqeverisje me PDK’në, aktualisht opsion mbi tavolinë e ka Qeverinë e cila do ta kishte për Kingmaker Listën Serbe, në mungesë së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Analisti Shkëlzen Maliqi ka shpjeguar për Politiko.net këtë deklarim të Ian Cliff, që është porosia e parë e një ambasadori në Kosovë përmes së cilës ka ‘projektuar’ idenë se si do të duhej të dukej Qeveria e ardhshme.
“Ambasadori Britanik, Ian Cliff ka bërë një sugjerim që ka qenë më se i qartë nga shpërndarja e numrave për krijimin e mazhorancës qeveritare. Nëse në këtë mazhorancë nuk do të duhej të kishte vend për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila edhe ashtu nuk po heq dorë nga kushtëzimet e veta, Blloku Opozitar nuk ka mundësi ta bëjë mazhorancën pa votat e Listës Serbe, qe i ka 9 ulëse në Kuvend.”

“Mendoj se Ambasadori ka të drejtë kur konstaton rrezikun që një mazhorancë e tillë nuk do të ishte e mirë për Kosovën. Jo sepse ai preferon një Qeveri me mazhorancë shqiptare, e cila është e pamundur pa votat e VV’së ose të PDK’së, por për shkak se Lista Serbe automatikisht ishte promovuar si forcë vendimtare në këtë Qeveri të brishtë.”

“Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa thjesht nuk do të kishin fuqinë dhe autoritetin që të disiplinojnë dhe bindin Listën Serbe për shumë vendime të rëndësishme për Kosovën, dhe sidomos do të ishin si Kali i Trojës në vazhdimin e dialogut me Beogradin, sepse kjo Listë edhe është e kontrolluar nga Qeveria e Serbisë.”

Uji Dea

“Për Listën Serbe, z. Cliff mendon se e ka vendin në Qeverinë e Kosovës, kjo është e qartë, por jo që ajo të behet faktor vendimtar për çështje delikate.”

Maliqi, duke folur më tutje për Politiko.net, ka shprehur bindjen se një Qeveri e cila do ta kishte për Kingmaker Listën Serbe nuk do të mund të qëndronte gjatë.

“Unë jam i bindur se një Qeveri e tille e varur plotësisht nga Lista Serbe nuk do të qëndronte gjatë, sepse edhe PDK me Vetëvendosjen do të gjenin në momentet e vendimeve kritike shumë lehtë gjuhën e përbashkët, që të ndihmuar me deputetët e pakicave tjera, ose edhe ndonjë të pakënaqur nga Blloku Opozitar, ta rrëzojnë atë.”

“Thjesht, Blloku Opozitar nuk i ka numrat cilësorë dhe kualifikues për Qeveri te re, por doemos duhet të zgjedhë mes alternativave, të hapet ndaj PDK’së (por që patjetër do të rrezikonte “unitetin” e deritashëm) ose te përcaktohet për përsëritjen e zgjedhjeve, ku do te garonte si Koalicion, duke shpresuar se mund të fitojë më shumë mandate.”

“Opsioni i dytë nuk është shumë premtues, sepse në zgjedhjet e përsëritura PDK besoj se do ta zgjerojë koalicioni e Misionit të Ri me AKR’në e Behxhet Pacollit, e cila në qershor nuk e kaloi pragun, kurse tani do t’i sjellë Hashim Thaçit të paktën edhe 5 deputetë më shumë, e kjo pastaj do të krijonte një konfiguracion të ri të numrave, ku as Blloku e as Vetëvendosje nuk do të mund ta injoronin Hashim Thaçin.”

“Llogaria e thjeshtë e ndryshimit pasqyrohet kësisoj: Nëse me AKR’në, Misioni i Ri do të kishte të themi minimum 42 ulëse, po edhe 41 dhe 40, Blloku Opozitar së bashku me Vetëvendosjen do të mund të kishin maksimumin 60 deputetë, ose edhe më pak 59, 58, dhe te gjitha skemat bllokuese qe janë përdorur pas 8 qershorit nuk do të ekzistojnë.”

“I vetmi variant fitues i Bllokut Opozitar është që ata në zgjedhjet e përsëritura të dalin me më shumë deputetë, jo 47 sa kanë tash, por me 50 e më shumë”, thotë Shkëlzen Maliqi.