Blloku s’bën plan qeverisës pa u konstituuar Kuvendi

/ 2 minuta lexim

Blloku LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje (VLAN) janë duke pritur konstituimin e organeve të Kuvendit, që më pastaj të fillojnë negociatat për krijimin e qeverisë të udhëhequr nga kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Ndonëse patën premtuar që programi qeveritar do të përpilohej shpejt, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë derisa dy taborët, PDK dhe VLAN të arrijnë një marrëveshje, apo të lëshojnë “pe” për tejkalimin e ngërçit politik.

Këtë e ka konfirmuar për tribunën anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu.

Mobi Casa

“Derisa të kryhet çështja e Kuvendit, derisa të zgjidhet kryetari nuk ka marrëveshje të re. Ne kemi bërë marrëveshje për Kuvend, për Qeveri do të bëhet së shpejti”, ka thënë Veliu.

Ai pret që ngërçi politik të tejkalohet shpejtë, mirëpo një marrëveshje në mes të dy kampeve tashmë sipas Veliut nuk ka gjasa që të arrihet.

Ndërkohë edhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, ka pranuar se dy palët nuk do të nënshkruajnë një marrëveshje të re, pa përfunduar zgjedhja e organeve të kuvendit, organe të cilat pas dy herëve që u provua të bëheshin, dështuan./express/