UBT

Blloku i drejtohet Kushtetueses?

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Takimet e vazhdueshme të mbajtura mes partnerëve të Koalicionit LDK-AAK-Nisma e Vetëvendosje, ku po kryhen konsulta për veprimet të cilat do t’i ndërmarrin nënshkruesit e marrëveshjes katërpalëshe, duket se më në fund kanë dhënë rezultate.

Ky koalicion po e shqyrton seriozisht mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, që ta interpretojë edhe një herë çështjen e zgjedhjes së Kryeparlamentarit, si dhe veçanërisht pikën 127 të aktgjykimit të kësaj gjykate, për të cilën Blloku thotë se i jep të drejtë ta propozojnë kandidatin e tyre për Kryeparlamentar.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Këshilltari i Parë i Ramush Haradinajt, Avni Arifi.

Në një prononcim për Gazetën Express, ai ka theksuar se liderët e koalicionit, po e shqyrtojnë shumë seriozisht këtë mundësi.

“Është një opsion shumë i mundshëm, të cilin liderët e katër partive po e shqyrtojnë shumë seriozisht”, ka thënë për Express, Arifi.

Hidromorava

Arifi madje nuk e ka përjashtuar se tashmë grupi i ekspertëve juridikë të Bllokut, të ketë përgatitur një draft kërkesë, ku ndër të tjera do të kërkohet sqarim për çështjen e zgjedhjes së Kryeparlamentarit, me theks të veçantë për pikën 127, ndërsa ka theksuar se në kërkesë do të përfshihet edhe një pikë ku do të kërkohet sqarim se çfarë ndodh kur në mungesë të votave, grupi më i madh parlamentar dështon që disa herë ta zgjedhë kryeparlamentarin, si dhe a mund të ndiqet shembulli i shteteve të tjera për zgjedhjen e Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit.

Ankesa eventuale e Bllokut në Gjykatën Kushtetuese, do të hapte rrugë për ç’bllokimin e situatës politike në vend.

Kujtojmë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia ka dhënë PDK’së të drejtën për propozimin e Kryeparlamentarit, duke qenë grupi më i madh parlamentar, mirëpo në mungesë të votave, kjo parti ka dështuar me dy kandidatë të ndryshëm, fillimisht me Agim Aliun e pastaj me Arsim Bajramin.

Blloku në anën tjetër nuk lëshon pe, duke u thirrur në pikën 127 të aktgjykimit dhe në shumicën parlamentare të cilën e kanë arritur me marrëveshjen e 10 shtatorit, ku nënshkruese ishin LDK, Vetëvendosje, AAK e Nisma për Kosovën.