Eko Higjiena

Blloku i bllokuar

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nga Shkelzen Maliqi – I bllokuar nga të gjitha anët, VLAN-i praktikisht detyrohet që të rishqyrtojë strategjinë e vet dhe të kërkojë zgjidhje në kanalet dhe procedimet tjera. Opsioni më i lehtë është arritja e marrëveshjes së re mes Mustafës dhe Haradinajt, ku ky i dyti do të pranonte rolin e zëvendëskryeministrit. Por, mbetet çështje nëse Albin Kurti do të pajtohej me një riaranzhim të tillë të marrëveshjes.

A ka diçka të re rreth krijimit të institucioneve?

Asgjë. Partitë janë në po atë pikë ku kanë qenë para 4 muajsh.

Përpjekjet që të debllokohet procesi kanë dështuar, dhe tani duket sikur nuk ka mbetur asnjë mundësi që një verdikt final të sigurohet nga Gjykata Kushtetuese. VLAN-i kishte shpresuar se Presidentja, ose vetë si formacion të kërkojë sqarimin nga Gjykata nëse formacioni i tyre, pasi që PDK-ja do ta shfrytëzonte të drejtën parësore të kandidimit të një deputeti të vet për Kryetar të Kuvendit (kuptohet: pa sukses!), do të ketë mundësinë që në hapin e dytë të propozojë një kandidat të vetin (ky pa dyshim do të ishte Isa Mustafa).

Por, Presidentja e refuzoi kërkesën e VLAN, ashtu sikur që e kishte refuzuar edhe kërkesën e partive të minoriteteve. VLAN-i pastaj nuk e mori guximin që t’i drejtohet vetë Gjykatës.

Opsioni i vetëm i Presidentes, por edhe i PDK-së, ka mbetur marrëveshja paraprake e të gjitha partive. Pra, që pesë partitë shqiptare të bisedojnë mes vete dhe të gjejnë solucionin, fillimisht të debllokimit të zgjedhjes së Kryetarit ë Kuvendit (nga radha e PDK-së, ose deputeti që e ka përkrahjen e këtij subjekti) e pastaj të vazhdohet me kompletimin e organeve të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së, re ku mandatari i parë do të ishte Hashim Thaçi, kurse nëse ai dështon, Presidentja do të propozonte një mandatar të dytë, në këtë rast supozohet se ajo do të duhej të përcaktohej për Ramush Haradinajn, pasi që ai nga 10 qershori figuron si mandatar i VLAN-it, që vetëkonsiderohet se e ka shumicën e votave në Kuvend (63).

Por, ky skenar i fundit, që ka mundur të jetë edhe i pari pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk është se mund të realizohet pa pasoja për unitetin e formulës së VLAN-it. Nëse VLAN-i nuk e siguron postin e Kryetarit të Kuvendit për Isa Mustafën, marrëveshja e tyre thjesht prishet, sepse jo vetëm Isa Mustafa, por edhe LDK-ja dalin humbës më të mëdhenj të zgjedhjeve. Edhe pse LDK-ja është paria e dytë për nga forca, me 30 deputetë, (7 më pak se PDK-ja), do të hynin në një koalicion ndëshkues për Hashim Thaçin dhe PDK-në si një parti inferiore dhe nën komandën e Ramush Haradinaj (i cili ka 19 deputet më pak se LDK-ja!).

Uji Dea

Brenda LDK-së ka pas vlime dhe kundërshtime serioze, disa edhe publike, që të shmanget kjo pasojë. Konsiderohej se nëse Isa Mustafa nuk bëhet Kryetar i Kuvendit, atëherë bie edhe “besa” e dhënë Ramush Haradinajt që ai ta drejtojë Qeverinë e re. Në këto prononcime formula e marrëveshjes së re brenda bllokut konsideronte që Isa Mustafa të bëhet Kryeministër, ndërkaq Ramush Haradinaj zëvendëskryeministër.

Një nervozizëm tjetër dhe termet mjaft serioz për konceptin e VLAN-it ka qenë edhe deklarata “bombë” e Albin Kurtit që partnerët në formacionin anti-Thaçi i pat quajtur “hajna të ligës së dytë”, krahas Thaçit dhe PDK-së, që i quajti hajna të superligës. Albin Kurti me këtë rikujtoi retorikën e tij parazgjedhore kur kritikonte ashpër jo vetëm PDK-në që ishte në pushtet, por edhe LDK-në dhe AAK-në, që gjatë mandatit të Thaçit si Kryeministër, kanë luajtur rolin e opozitës së rreme që i ka bërë amin politikës së Qeverisë (sidomos sa i përket dialogut me Serbinë), por edhe se kanë qenë po aq parti të korruptuara në komunat ku e kanë pasur pushtetin.

Për më shumë, gjatë këtyre katër muajve VLAN-i nuk ka bërë as përpjekje më të vogël që të hartojë në program të artikuluar qeverisës, pos disa pikave shumë të përgjithësuara që i ka imponuar Lëvizja Vetëvendosje si kusht për përkrahjen e marrëveshjes Mustafa-Haradinaj. Që gjërat të duken të pashpresë për VLAN-in, mu këto pika të imponuara nga Vetëvendosja, që përndryshe kishin të bëjnë me rishqyrtimin dhe rikonceptimin e dialogut me Serbinë, kanë qenë momentet më të papranueshme për aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, që edhe pse nuk e thoshin këtë hapur, nuk e donin fare futjen e Vetëvendosjes në Qeveri!

I bllokuar nga të gjitha anët VLAN-i praktikisht detyrohet që të rishqyrtojë strategjinë e vet dhe të kërkojë zgjidhje në kanalet dhe procedimet tjera. Opsioni më i lehtë është arritja e marrëveshjes së re mes Mustafës dhe Haradinajt, ku ky i dyti do të pranonte rolin e zëvendëskryeministrit. Por, mbetet çështje nëse Albin Kurti do të pajtohej me një riaranzhim të tillë të marrëveshjes. Pastaj, një pikëpyetje e madhe është edhe çfarë do të ndodhë me kushtëzimet e dialogut me Serbinë dhe a do të mbetet Vetëvendosja, sipas planit të mëparshëm, drejtuese e dialogut, dhe çfarë do të jetë çmimi për një mosbindje të tillë ndaj BE-së dhe SHBA-së?!

Njëri prej skenarëve tjera që përmenden kuluareve është që të gjithë liderët të involvuar në ngërçin katër mujor të mos figurojnë më si kandidatë për pushtet. Pra, as Thaçi, as Haradinaj, as Mustafa dhe as Kurti, nuk do të duhej të ishin në qeverinë e re. Por, a ka Kosova kuadro rezervë me ndikim, që nuk janë hajna as në superligë e as në ligën e dytë.

Për më shumë, nëse për katër muaj e gjysmë liderët kosovarë nuk kanë arritur që të gjejnë zgjidhje për logjikën imponuese të numrave, sa kohë do t’u duhej që të pajtohen me tërheqjen e tyre të këtillë nga pushtetit!?

Mbase do të jetë më mirë që Presidentja ta presë këtë nyje të Gordit, duke i shpallur zgjedhjet, ku me gjasë do të mund të ketë një konfiguracion të ri forcave, pjesërisht ndëshkues dhe pjesërisht më pak bllokues seç e kemi tani.