Bllokohet privatizimi

Asnjë ndërmarrje shoqërore nuk do të mund të privatizohet tash për tash në Kosovë. Kjo pasi që Bordi i Agjencisë Kosovare (AKP) të Privatizimit nuk ka kuorum të marrë asnjë vendim.
Bordi tani e tutje ka mbetur me vetëm tre anëtarë vendorë, pasi që dy anëtarëve ndërkombëtarë u ka përfunduar mandati më 31 gusht, përderisa një tjetër ka dhënë dorëheqje vitin e kaluar. Kjo bllokadë në këtë institucion nuk pritet të zgjidhet pa konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi që vetëm ky institucion mund t’i zgjedhë anëtarët e rinj të bordit.
Veton Hajdini nga AKP, ka sqaruar për vendimet që AKP nuk mund t’i marrë në mungesë të Bordit. “Sipas nenit 15 të Ligjit të AKP-së, Bordi i Drejtorëve i AKP-së ka kompetenca të shumta, ka përgjegjësi të përgjithshme për aktivitetet e Agjencisë. Bordi vendos për shpalljet e reja të valëve të shitjes, për shpërndarjen e mjeteve nga pjesa 20% për punëtorët e NSH-ve, për shpërndarjen e mjeteve nga procesi i likuidimit të NSH-ve, pastaj për bartjen e mjeteve tepricë në buxhetin e Kosovës e shumë vendime tjera të përcaktuara me Ligj, që janë në kompetencë të Bordit”, ka thënë Hajdini.
Ai ka sqaruar se anëtarët e bordit duhet t’i emërojë Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, njohësit e ekonomisë mendojnë se bllokada në AKP ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes së gjithëmbarshme. Njohësi i ekonomisë, Lekë Musa, ka vlerësuar se kjo bllokadë është pjesë e një paralize të gjithëmbarshme shoqërore të cilën po e vuajnë të gjithë për shkak të klasës politike ekzistuese e cila është nën çdo nivel të duhur për kontekstin ekonomik e shoqërorë /Tribuna