Bllokohet misri i Serbisë
Institucionet e Kosovës e kanë ndaluar shitjen e misrit të importuar nga Serbia në treg. Kjo është marrë si masë parandaluese për t’i mbrojtur konsumatorët pas dyshimit se misri që vjen nga Serbia është i kontaminuar. Që nga janari i këtij viti në Kosovë, nga ky vend janë importuar 760 milionë kilogramë drithëra.
E ndalën porsa u mor vesh se misri i prodhuar në Serbi është i kontaminuar. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë ka marrë vendim ta ndalojë importin e të gjitha produkteve të misrit nga ky shtet fqinj.
Ky produkt vlerësohet si i rrezikshëm nga kjo agjenci dhe derisa të dëshmohet me analiza se nuk është i kontaminuar, nuk do të lejohet të shitet në treg.
Helmimi i misrit thuhet se ka ardhur nga një lloj i kërpudhave të familjes Aspergillus, dhe analizat e detajuara për ta konstatuar atë sipas zyrtarëve të AUV nuk mund të bëhen në laboratorët e Kosovës.
“Duke e pasur parasysh se në Kosovë nuk ka laborator për konstatimin e këtij helmi. Deri në marrjen e rezultateve të plota të gjithë parametrave këto produkte do të qëndrojnë nën masën e ndalesës për shitje në treg të brendshëm”, tregon Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV.
Sipas tij, prej ditës së parë kur është dhënë kjo informatë d.m.th para më shumë se 10 ditësh janë ndaluar për shitjet misri dhe të gjitha produktet e misrit që importohen nga Serbia. Të gjitha ngarkesat që vijnë në kufij ato mostrohen dhe bllombohen pastaj merren nën kontroll të inspektorëve fitosanitarë regjionalë të AUV-së.
Ai thotë se nga analizat e bëra deri më tani nuk është dëshmuar për prezencën e kësaj kërpudhe. Në rast se konstatohet diçka e tillë në këtë agjenci janë të vendosur që të asgjësojnë tërë sasinë e drithit.
Thaçi tregon se e kanë shtuar prezencën e inspektorëve nëpër Pikat e Kalimit Kufitar dhe brenda
territorit të Republikës se Kosovës.
“Kemi shtuar masën e kontrollit, thënë më mirë kemi shumëfishuar kontrollet ku kemi ngritur masat në nivel më të lartë sa i përket kontrollit të kokores së misrit dhe në momentin e paraqitjes së rezultateve që tregojnë se ka këtë lloj helmi, ne do ta ndalojmë në tërësi misrin dhe sasia që është brenda do të asgjësohet, por kjo vendoset në bazë të rezultatit të analizave”, pohon Thaçi.
Megjithatë, duket se do të kenë shumë punë inspektorët e AUV-së për të asgjësuar, pasi sasia e drithërave të importuar nga Serbia vetëm gjatë këtij viti është shumë e madhe.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari i vitit 2012 e deri më 11 dhjetor në Kosovë nga ky vend janë importuar 760 milionë kilogramë drithëra. Prej tyre 581 milionë kilogramë janë grurë ndërsa 172 milionë kilogramë misër.
Se bereqeti i sivjetmë i misrit në Serbi është i kontaminuar, e para ka reaguar organizata për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë, “Konsumatori”.
Kjo organizatë është thirrur në rezultatet e ndërmarrjes për kontrollin e cilësisë “SGS Srbia”, e cila ka njoftuar për dështimin e të lashtave të sivjetme të misrit në Serbi, që është një nga eksportueset më të mëdha në rajon.
Në laboratorët e SGS është konstatuar helmimi i misrit me Aflatoksinë, bashkëdyzim tejet kancerogjen, i cili mund të gjendet në ushqimin për njerëz, por edhe në ushqimin e kafshëve. Sipas SGS-së arsyeja e shfaqjes së Aflatoksin-nës, është thatësia e madhe që përcolli verën e sivjetme dhe agrobiznesin.
Kjo ndërmarrje njofton po ashtu se vetëm 32 për qind e bereqetit të sivjetshëm të misrit në Serbi është i shëndetshëm dhe i sigurt për ushqimin e njerëzve dhe për procesim.
Sipas drejtorit të “konsumatorit”, problemi me Aflatoksin-ë, ka marrë përmasa pandemike sepse është shfaqur në përmasa më të vogla, edhe në Hungari, Rumani e Bullgari – kryesisht shtete ku furnizohet Kosova. Ai paralajmëron se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe me kulturat e Kosovës, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike dhe kushtet e ngjashme atmosferike që mbretëruan sivjet.(express)