Bllokada e re e dështon sërish liberalizimin e vizave
Analistët politikë vazhdojnë të ngrisin shqetësimin e tyre se vonesa e krijimit të institucioneve të reja paszgjedhore të 11 qershorit, dhe vazhdimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, do të jetë edhe një hap tjetër mbrapa në humbjen e shansit për liberalizimin e vizave gjatë këtij viti, e mbase edhe në vitin që vjen.
Politika kalkulon vetëm interesat e ngushta, harron interesin publik
Analistët politikë vazhdojnë të ngrisin shqetësimin e tyre se vonesa e krijimit të institucioneve të reja paszgjedhore të 11 qershorit, dhe vazhdimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, do të jetë edhe një hap tjetër mbrapa në humbjen e shansit për liberalizimin e vizave gjatë këtij viti, e mbase edhe në vitin që vjen.
Kjo për faktin se tani partitë politike nuk po shohin asnjëra përtej interesave të tyre kriminale të lakmisë për pushtet, kurse të gjithë temat, që ndërlidhen me jetën e përditshme të qytetarit dhe reformat janë lënë krejtësisht pas dore. Eksperti i së drejtës, Blerim Burjani, vlerë- son se zgjedhjet dhe ngërçi i ri politik, do të ndikojnë negativisht në prolongimin e të gjitha çështjeve të pazgjidhura. “Të gjitha problemet dhe çështjet e pazgjidhura kanë mbetur dhe kushtimisht janë “ngrirë”, si: çështja e liberalizimit, Demarkacionit dhe Asociacionit, zhvillimi i dobët ekonomik, korrupsioni dhe nepotizmi janë në pritje të dhënies së përgjigjes institucionale nga institucionet tona para BE-së në të gjitha këto tema. Mirëpo, kjo klasë politike, pozitë dhe opozitë, janë treguar dhe po tregohen të paafta politikisht, të verbuara nga dëshira për të qeverisur secili me paranë publike”, u shpreh ai. “Krejt kjo klasë politike vetëm aty e ka të fokusuar vëmendjen e saj paszgjedhore, kush po fiton dhe kush po humb, dhe në anën tjetër është krejtësisht e painteresuar për qytetarët, janë të papërgjegjshëm ndaj qeverisjes së shtetit, prandaj dita-ditës të tillët edhe vetë populli po i cilëson si të korruptuarit dhe rrugaçët që po tentojnë të qeverisin me jetën e qytetarëve”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”
Drejt humnerës së re
Edhe politologu Gurakuq Kuqi pohon se Kosova çdoherë e më shumë po zhytet në vështirësi të mëdha, politike, ekonomike e sociale, në mungesë të shtetarëve, derisa partitë politike janë të interesuara për pushtet dhe nuk kanë parime politike. “LDK-AKR dhe VV-ja përkundër që e dinë vendimin e Kushtetueses për kryeparlamentarin, nuk hapin rrugë, që pasi të zgjidhet kryekuvendari të kenë mundësinë e mandatit për kryeministër, pasi si duket nuk kanë besim tek deputetët e tyre. Këto janë vetëm disa argumente, që jemi para një humnere të re. Dhe me të gjitha këto obstruksione për pushtet dhe jozhvillim ka mundësi, që po ndodhin të afrojnë një datë që të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme përsëri së bashku me ato lokale më 22 tetor, sepse barra e re e çdo lëvizjeje politike është edhe me pazarin dhe kutinë e zgjedhjeve lokale”, tha Kuqi për “Kosova Sot”. Por, ai thotë po ashtu se edhe nëse do të ketë qeveri, në variantin më të keq, ajo do jetë qeveri në duar dhe mëshirë të minoriteteve dhe opozitës për një periudhë të shkurtër. “Ka një anomali këtu që procesi nuk po zhvillohet normal, pasi PDK-ja me çdo kusht dëshiron ta mbajë AAKnë, sepse NISMA është aty diku vetëm për hir të AAK-së, sepse PDKja nuk ka opsion tjetër për të mbetur në pushtet e AAK-ja diku është lidhur që nuk po guxon të lëvizë. Sidoqoftë, partitë asnjë nuk po flasin për koalicione dhe qeveri për zhvillimin e Kosovës, por vetëm si të arrijnë në pushtet diçka komplet jashtë interesit të qytetarit dhe në dëm të Kosovës”, theksoi Kuqi.
Sjellje e papërgjegjshme e partive
Analisti Ali Hertica konsideron se sjellja e papërgjegjshme e partive politike në këtë proces, kur para vetes kanë shumë obligime, që duhet të përmbushen për përshpejtimin e proceseve të integrimit në BE, është një sjellje e papërgjegjshme karshi interesave të shtetit. “Mosinteresimi i subjekteve politike për formimin e të gjitha institucioneve të shtetit del si dëshmi e pamohueshme, që flet se lidershipi politik i Republikës së Kosovës nuk është i interesuar për t’i shtyrë proceset integruese përpara, as nuk është i pozicionuar seriozisht në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave”, u shpreh ai. “Pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 qershorit, edhe pse ishte premtuar që institucionet e reja do të formohen në afat rekord kohor, tani po vërehet se këtë zotim nuk e kanë interes parësor për shoqërinë asnjë nga subjektet politike parlamentare të dala nga këto zgjedhje, por se zotimet i kanë bërë vetëm sa për t’ua dhënë votën, të cilën tani po e shfrytëzojnë dhe manipulojnë për interesat e tyre personale, që ta përmbushin eventualisht egon e madhe për pushtet dhe zënien e kolltuqeve të buta e të nxehta”, vijoi më tutje Hertica për “Kosova Sot”. Sipas tij, çdo vonesë në formimin e institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të 11 qershorit, ndikon në prolongime të paparashikueshme në të gjithë hapat e procesit të integrimit në BE, përfshirë liberalizimin e vizave.
Interesat personale, në rend të parë
Edhe politologu Arsim Haziri ka pohuar se ne këtë situatë konfuze vendi nuk do të mund t’i krijojë institucionet e veta, edhe pse deklarimet janë në një kah tjetër, por duket që vetë partitë politike, shumica e tyre, nuk duan t’i bëjnë këto institucione. “Mirëpo, të gjitha subjektet politike me disa përjashtime janë duke u deklaruar se nuk interesohet për qëllime përtej atij personal. Dhe duke qenë nën këtë argumentim tashmë edhe të deklaruar dhe të dukshëm prapë pak mund të pritet për ndonjë qeverisje që bartë mbi supe proceset e përgjithshme për çka Kosova tashmë e një kohë po neglizhohet”, potencoi ai. “Objektivi themelor i politikës është ardhja në pushtet dhe sundimi përmes mjeteve të politikës, kjo frymë nuk i shërben nevojës së përgjithshme qytetare. Vonesat në krijimin e organeve shtetërore bëhen, kur vendosen fillimisht interesat personale, kjo klimë fatkeqësisht është duke e përshkuar tashmë edhe skenën aktuale, ku aktorët politikë janë betonizuar në qëllimet e tyre vetëm që interesi i tyre të mos shpërndahet në masën qytetare”, ka thënë Haziri për “Kosova Sot”.


