Fundamenti

Bllaca ishte tek unë

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Doktori i Nazim Bllacës, Fatmir Xhelili nuk nxori asnjë detaj për shëndetin e pacientit të tij gjatë dëshmisë në procesin “Bllaca II”. Xhelili pranoi se Nazim Bllaca ka qenë katër-pesë herë në klinikën e tij gjatë dy muajve të vitit 2004, por ai mohoi se Bllaca dhe të akuzuarit e tjerë në këtë proces të kenë qenë pjesë e SHIK-ut.

Neuropsikiatri nga Shtimja nuk e foli asnjë fjalë se për çka kishte shkuar në klinikën e tij Nazim Bllaca. Fatmir Xhelili e mbajti fshehtë arsyen e shkuarjes së Bllacës tek ai në vitin 2004 pasi që, sipas tij, këtë nuk ia lejon betimi i Hipokratit. Ndonëse mbrojtja u mundua që të nxjerrë atë për çka e kishin thirrur, Xhelili i cili u mor në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, tha se këtë nuk mund ta bëjë pasi që i mban fshehtë dosjet e pacientëve të tij.

Ai tha se këtë mund ta bëjë vetëm në dy raste, me lejen e pacientit dhe nëse gjykata e autorizon ta bëjë këtë, por edhe me këtë rast ai duhet kërkuar leje nga Shoqata e psikiatërve që ta lirojnë nga betimi i Hipokratit. Për këto që tha Xhelili, Trupi Gjykues i dha të drejtë absolute duke u mbështetur në Nenin 159 dhe 160 të Kodit të Procedurës Penale. Kodi i parë, Xhelilit nuk ia lejon që të tregojë për sekretet zyrtare dhe ushtarake dhe i dyti për mbajtjen në konfidencë të trajtimit të pacientëve.

Por njëri nga drejtuesit e SHIK-ut, nuk mohoi që njeriu që e kishte njohur me nofkën “Gjeografi”, kishte qenë në klinikën e tij që kryen shërbime neurologjike dhe psikiatrike për dy muaj në vitin 2004.

“Atëherë e kam njohur me këtë nofkë dhe tek pas publikimit të CD-së në vitin 2009, kam mësuar se ai quhet Nazim Bllaca. Edhe pse në CD ai person më ka dëmtuar rëndë, duke më inkriminuar si njëri nga urdhërdhënësit e krimeve, unë nuk zbuloj arsyet e mjekimit të tij për shkak se jam mjek dhe jam nën betimin e Hipokratit”, tha Fatmir Xhelili. “Nuk mund të flas për gjendjen shëndetësore të Nazim Bllacës. Në vitin 2004, ka qenë nja katër-pesë herë në klinikën time, por nuk mund të flas më shumë, sepse nuk ma lejon kodi etik”, tha deputeti i Parlamentit të Kosovës.

Xhelili pranoi se ka qenë drejtor i Drejtorisë për Hulumtime Kundër Krimit të organizuar në kuadër të SHIK-ut, deri më 8 janar të vitit 2008. Kjo organizatë, sipas tij, është formuar në Rambuje të Francës në vitin 1999, atëherë kur edhe është formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës. Megjithëse Trupi Gjykues vendosi që Xhelili të mos pyetet në lidhje me SHIK-un dhe gjendjen shëndetësore të Nazim Bllacës, avokatët i drejtuan atij disa pyetje të tërthorta që kanë të bëjnë me këtë shërbim.

RCCOLA

Avokati i Sadik Abazit, Ilaz Kadolli u interesuar për lidhshmërinë e dëshmitarit dhe klientit të tij. Xhelili tha se Abazin e njeh që nga vitet e nëntëdhjeta, por që asnjëherë nuk ka qenë në UÇK, por e ka ndihmuar atë. Sipas tij, Sadik Abazi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e SHIK-ut. “As Sadik Abazi, as të akuzuarit e tjerë, por as Nazim Bllaca nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut”, tha Xhelili. Sipas tij, e ka të ndaluar të përmendë me emra anëtarët e këtij shërbimi, por pasi që këta nuk kanë qenë, ky nuk është sekret.

Interesimi i avokatit Haxhi Millaku ishte nëse dëshmitari ishte në dijeni se një pjesëtar i SHIK-ut mbante kontakte me Adem Salihajn. Dëshmitari pohoi se e dinte këtë dhe se personi në fjalë ishte me profesion inxhinier, ashtu siç edhe kishte dëshmuar Salihaj në seancat e mëparshme. Por kryetari i trupit gjykues nuk ia lejoi pyetjet e Millakut për Salihajn që nuk kanë lidhje me aktakuzë.

Ndërkaq, i akuzuari Shpresim Uka e ka pyetur dëshmitarin çfarë lloj pacientësh kanë shkuar në klinikën e tij për të cilën dëshmitari tha se klinika e tij ka kryer shërbime Neurologjike dhe Psikiatrike. Por Xhelili tha se ndokush edhe ka mundur të gabojë kur ka shkuar në klinikën e tij duke u përgjigjur në pyetjen e Ukës, nëse ka shkuar aty njerëzit që kanë probleme me trurin.

Avokati Ramiz Krasniqi kundërshtoi vendimin e gjykatës që Xhelili të mos merret në pyetje për SHIK-un pasi që po për këtë shërbim është marrë në pyetje edhe ish-shefi i kësaj organizate, Kadri Veseli. Kryetari i trupit gjykues i dha të drejtë avokatit Krasniqi, ndërsa dëshmitari tha se qëndron prapa asaj çka ka thënë Veseli. Pas një konsultimi, trupi gjykues vendosi që dëshmitari të mos përgjigjet në informatat që i ka të klasifikuara, ndërsa për ato që nuk janë të tilla, të ketë mundësi t’i zbulojë. Mbrojtja ka kërkuar nga gjykata që të marrë shënimet e dosjes për trajtimin e Bllacës nga Xhelili, si prova materiale.

Dëshmitari Xhelili do të dëshmojë edhe të mërkurën, ku pritet që të merret në pyetje nga prokurorja Ema Rizoto. Në fund të seancës, avokati Ilaz Kadolli ka hequr dorë nga disa dëshmitarë të alibisë, në mesin e tyre edhe Azem Syla. Kadolli tha se këtë e ka bërë me arsyetimin se të gjitha pyetjet që janë planifikuar për Sylën janë konsumuar nga dëshmitarët e mëhershëm që janë pyetur për SHIK-un. Edhe pse zyrtarisht Azem Syla nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut, avokati mendon se nuk ka çka ta pyesë Sylën. Para Xhelilit, prokurorja ka marrë në pyetje dëshmitarin e propozuar nga Kadolli, Bajrush Mujota.(express)