Bletarët gjilanas përfitojnë shtëpiza falas

Gjilan – Nazmi Rapuca tha se këta bletarë, varësisht nga numri i shoqërive të bletëve që posedojnë, kanë përfituar nga 2 deri në 5 shtëpiza falas. Në projekt për 250 shtëpiza, kanë aplikuar 67, kurse kanë përfituar 63 prej tyre, të cilët i kanë plotësuar kriteret e projektit.
Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari, nga buxheti i saj, po realizon edhe projektin e shtëpizave për bletë.Sipas Nazmi Rapucës drejtor për bujqësi projekti ka për qëllim furnizimin e bletarëve të vegjël me shtëpiza për bletë, ata të cilët, nuk kanë mundur t`i plotësojnë kriteret për tu përfshirë në skemën e Ministrisë për subvencione.
Rapuca tha se këta bletarë, varësisht nga numri i shoqërive të bletëve që posedojnë, kanë përfituar nga 2 deri në 5 shtëpiza falas. Në projekt për 250 shtëpiza, kanë aplikuar 67, kurse kanë përfituar 63 prej tyre, të cilët i kanë plotësuar kriteret e projektit.
“Ky projekt ka për qëllim të bëjë nxitjen e bletarëve për të rritur kapacitetet e bletoreve të tyre. Çdo shtëpizë që po japim sot, nesër do të jetë një shoqëri e re, pasi bletarët, kur i kanë shtëpizat i shumëzojnë bletët”, ka thënë Rapuca.
Nga ky projekt synohet përmirësimi i kushteve për mbarështimin e bletëve. “Shumica e bletarëve bletët i kanë të vendosura në shtëpiza të vjetra dhe jo standarde. Këto shtëpiza janë moderne dhe me dysheme anti varo, e cila lehtëson ajrosjen e zgjoit dhe shmang paraqitjen e sëmundjeve të ndryshme” ka thënë Rapuca.
Gjithnjë sipas Rapucës ky projekt lehtëson punë e bletarëve etj. “Bletarët shpeshherë i nxjerrin bletët në kullosa dhe këto shtëpiza mundësojnë transport më të sigurt pasi që është e mundur ajrosja e bletëve edhe gjatë transportit.Duke e ditur rëndësinë e bletëve dhe bletarisë, institucionet tona, Ministria dhe Drejtoria Komunale për Bujqësi, bletarinë e kanë radhitur ndër prioritetet e tyre për mbështetje me grante dhe subvencione”, ka thënë Rapuca.
Sipas tij, vetëm në 6 muajt e fundit, në komunën tonë kemi sjellë 300 shoqëri të reja të bletëve dhe 450 shtëpiza të reja për bletë. Kjo pa tjetër se do të ndikojë në rritjen e numrit të shoqërive të bletëve.
“Nëse këto ndihma i shndërrojmë në vende pune, kjo do me thënë se bletarëve u kemi dhënë mundësinë për krijimin e rreth 20 vendeve të reja të punës”, ka thënë Nazmi Rapuca, drejtor i drejtorisë Komunale të Bujqësisë./rajonipress/