Blakaj: Dëshmitarët potencial po vdesin – Të pagjeturit të trajtohen si çështje humanitare

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, thekson që opinioni fare nuk e ka ditur se çfarë është biseduar në procesin e deritashëm të dialogut për temën e të pagjeturve, raporton Ekonomia Online.

Blakaj për Ekonomia Online tregon për problematikat ne përpilimin e listave dhe rezultatet e arritura deri më sot.

Ai thotë se në vazhdimësi organizata e tij, krahas atyre të familjarëve të personave të pagjetur, ka theksuar nevojën e përfshirjes së kësaj teme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.“Dialogu duhet të zhvillohet me Serbinë sepse shumë çështje të ndryshme duhet të zgjedhën në kuadër të dialogut, ndërsa ne nga shoqëria civile vite më parë kemi kërkuar qe në dialog të futet edhe tema e personave të zhdukur”.“Ne jemi të lumtur që po diskutohet për këtë çështje dhe deri më tani nuk është arritur një çështje finale. Normalisht dialogu trajton edhe tema të tjera jashtëzakonisht të rëndësishme e që kanë të bëjnë dhe me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Besoj që së shpejti do të dakordohen edhe për çështjen e personave të zhdukur. Ne mendojmë se palët do ta trajtojnë si çështje humanitare çështjen e personave të zhdukur”, tha ai.

Teksa ka folur për këtë temë, Blakaj theks të veçantë i jep uljes së numrit të të pagjeturve. Ai thotë se që nga mbarimi i luftës, kanë arritur ta ulin këtë numër nga 4500 sa ishte në 1617 persona të zhdukur.“Edhe pse numri i personave të zhdukur nëse krahasohet lista e vitit 2000 dhe lista sot është e qartë qe ka pas rezultate pozitive sepse nga numri rreth 4500 të zhdukur që kanë qenë të zhdukur mbas lufte ky numër ka rënë në 1617 mirëpo mendoj që ka mund të bëjnë institucionet më shumë sidomos për identitetin e trupave që sot janë në Institutin e Mjekësisë ligjore, bëhet fjalë për rreth 300 trupa të cilët janë gjetur mirëpo nuk dihet se kush janë. Po të identifikoheshin ata persona numri i trupave të zhdukur do të ishte shumë më i vogël se sot”, thotë ai.

Problematikë tjetër sipas tij është edhe vdekja e dëshmitarëve, për të cilët thotë se potencialisht do të mund të dërgonin informacione për lokacione të sakta.“Është shumë vështirë të vihet deri tek informacione të cilat mund t’i dërgojmë autoritetet në lokacione të sakta ku mund të jenë të varrosur trupat e personave që janë të raportuar të zhdukur. Dëshmitarët janë duke vdekur, kujtesa e tyre është duke u zbehur. Dokumentacionet janë fshehur dhe është shumë e vështirë me i gjet”, u shpreh Blakaj për EO.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS