Fundamenti

Blair, Jahjagës: Forcojeni demokracinë e brendshme

/ 2 minuta lexim

Presidentja Atifete Jahjaga, u takua sot në Londër, në ambasadën e Kosovës, me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair dhe bashkëshorten e tij, Cherrie Blair.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart angazhimin e ish-kryeministrit Blair për Kosovën, në mbrojtjen e popullit të Kosovës gjatë kohës së luftës, me vendimin për fushatën ajrore të NATO-s që parandaloi katastrofën humanitare dhe më vonë përmes ndihmës në rindërtimin e vendit dhe procesin e shtetndërtimit te tij. Ajo gjithashtu e falënderoi për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në ruajtjen dhe kultivimin e vazhdueshëm të tolerancës ndërfetare, një vlerë e veçantë e shtetit të Kosovës.

Presidentja Jahjaga dhe ish-kryeministri Blair vlerësuan të arriturat e Kosovës, ndërtimin demokratik e gjithëpërfshirës të vendit, sfidat në procesin e integrimeve evropiane, dialogun me Republikën e Serbisë dhe marrëveshjet e arritura që duhet të zbatohen, ndërtimin e shtetit të së drejtës si dhe sfidat në fushën e sigurisë në luftën kundër ekstremizmit, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Mobi Casa

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova si dhe gjithë rajoni i Ballkanit duhet të ketë perspektivën e qartë evropiane dhe të përfshihet në të gjitha nismat dhe projektet e BE-së për rajonin dhe të ruhet momenti i klimës së bashkëpunimit ndërmjet vendeve në rajon.

Ish-kryeministri Blair tha se Kosova ka arritur shumë në proceset e shtetndërtimit dhe ajo duhet të vazhdojë të forcojë demokracinë e saj të brendshme dhe konsolidimin e saj ndërkombëtar./telegrafi/