RCCOLA

Biznesmenët thirrje Qeverisë: Brenda 12 ditëve t’u kompensohen humbjet bizneseve

/ 6 minuta lexim

Disa nga vendimet e fundit marrë nga Qeveria e Kosovës, siç është ndalimi i lëvizjes për qytetarë po i sheh të paarsyeshme biznesmeni kosovar, Shaqir Palushi, i cili në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se kjo masë vështirëson operimin e shumë bizneseve.

“Konsideroj që çdo vendim i cili është në interes të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve është i pranueshëm edhe për neve si biznese por sigurisht që ne nuk do të pajtohemi me të gjitha këto vendime, sepse mendoj që disa prej tyre nuk i kontribuojnë mirëqenies së qytetarëve në veçanti mund të themi që vendim për mbyllje pas orës 22:00. Ne e dimë që virusi nuk e ndërron agresivitetin pas kësaj ore, është i njëjti brenda 24 orëve dhe për aq më tepër kur dihet lëvizja e qytetarëve pas orës 22:00 është më e vogël”.

“Mendoj që në një mënyrë e vështirëson operimin e shumë bizneseve sidomos atyre prodhuese siç është kompania jonë sepse duhet të marrim leje për punëtorë sepse kompania jonë punon 24 orë dhe kjo krijon vështirësi në lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të punëtorëve, qoftë ata që përfundojë orarin e ndërrimit të dytë apo të tjerët të cilët shkojnë për orarin e ndërrimit të tretë. Kjo ka qenë një prej masave të paarsyeshme, po ashtu ka edhe tjera si ajo e pamundësisë së lëvizjes sepse kompania jonë një numër të menaxherëve lëvizin në drejtim të Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe ata janë të detyruar që nëse kthehen në Kosovë të bëjnë test për verifikim Covidit. Në parim jemi për çfarëdo mase që është në mbrojtje të qytetarëve tanë”, është shprehur ai.

Sipas Palushit sektorët si Gastronomia, Hoteleria dhe Transporti duhet të kenë përparësi në kompensim dëmesh, pasi që po të njëjtat janë goditur më së rëndi nga pandemia.“Në Kosovë ka pasur më së paku masa të ndërmarra gjatë këtyre muajve dhe përgjithësisht vitit krahasuar me vendet në regjion dhe në Evropë por këtu shkohet nga masat krejtësisht liberale në krejtësisht ekstreme. Ne jemi për një kufizim të kontrolluar. Një pjesë e bizneseve sidomos të sektorit të Gastronomisë, Hotelerisë pastaj Transportit janë të goditura vazhdimisht më tepër se një vit dhe këto do të duhej të veçohen nga bizneset e tjera”, ka shtuar ai.

Ndërsa Palushi tregon se në punën e tij pandemia ka bërë që të shënohen ngecje sidomos në eksport.“Biznesi ynë është goditur në masën 20 për qind por ne kemi operuar dhe ne nuk kërkojmë ndonjë mbështetje kur dihet që kjo që ka ndodhur është jashtë mundësive të institucioneve tona po flas për pandeminë, por këto sektorë që janë atakuar gjithsesi duhet mbështetur sepse ndodhen para falimentimit. Kjo ka pasur efekt negativ sepse kemi pasur një ngecje në arritjen e parashikuar sepse ne kemi pasur pritshmëri për rritje qoftë në tregun vendorë, por edhe në eksport”, u shpreh pronari i kompanisë “Frutex”.

Eco Higjiena

Në anën tjetër biznesmeni, Burim Piraj, ka thënë gjatë një interviste me Ekonomia Online se me vendimet e marra nga ana e Qeverisë, nuk janë parashikuar pasojat që do t’i lënë ato në ekonominë vendore.“Prioritet duhet të jetë shëndetësia,shëndeti publik atë të gjithë e dimë dhe nuk e diskutojmë këtë çështje, mirëpo vendimi i djeshëm mendoj që ka qenë i ngutshëm. Nuk është marrë për bazë krejt siguria në vend dhe është anashkaluar hapësira në të cilën ka pasur mundësi të bëhen lehtësime. Sa herë merret një vendim duhet të parashikohen dëmet-pasojat ekonomike të cilat vijnë. Me vendimmarrjen e djeshme Qeveria nuk i ka parashikuar pasojat ekonomike të cilat mund t’i pësojë vendi jonë. Prandaj po them që është i ngutshëm dhe duhet sa më parë të rishqyrtohet dhe të bëhet një planifikim më i mirë që pasojat ekonomike të jenë sa më të vogla”, është shprehur ai.

Edhe Piraj ka konsideruar se vendimet e fundit do të prekin më së shumti, Hotelerinë e Gastronominë.“Nuk e konsideroj shumë të ndershme të bisedojë për biznesin tim, të bisedoj për një biznes individual, për një kompani timen për mua më rëndësi është ekonomia e gjithëmbarshme kosovare. Ky vendim do t’i prekë shumë Hotelieri, Gastronominë në përgjithësi-restorantet, fast food-at, dhe ata do të jenë më të prekurit. Ne mund të mos e hetojmë aq shumë mirëpo ata shumë. Kemi parasysh që në hoteleri në Kosovë ka shumë të punësuar edhe pse po shihet që një numër i punëtorëve në hoteleri është duke mos punuar në bazë të normave ligjore-juridike të Republikës së Kosovës dhe nuk figurojnë si të punësuar”.

“Mirëpo duhet të kemi parasysh që çdo ndikim i vogël në këtë fazë ku Kosova vitin e kaluar ka pasur mbi një miliardë qarkullim më të vogël ka ndikim më të madh. Ne jemi prej vendeve më të varfra evropiane dhe kur i shohim masat të cilat i marrin vendet e zhvilluara ekonomikisht si Gjermania dhe vendet tjera të BE-së nuk mundemi edhe ne t’i marrim ato masa dhe t’i zbatojmë në praktikë dhe mos të ndërmarrim aksione për t’i sanuar dëmet ekonomike”, ka shtuar ai.

Për fund, Piraj ka bërë thirrje që ndihmat financiare për bizneset të ndahen akoma pa kaluar 12 ditë.“Së pari duhet që Qeveria ta miratojë projekt-buxhetin për masat të cilat do t’i merr pastaj të merr masa të zbatimit. Duhet të ketë masa më të buta për ato komuna që janë në zonën e gjelbër, së paku në ato komuna të lejohen të punojnë restorante dhe hoteleria mos të vijë deri te lirimi i punëtorëve nga puna apo dëmtimi ekonomik i kompanive. Mendoj që ende pa kaluar 12 ata duhet t’i japin ndihmat financiare të cilat i takojnë kompanive, duhet tua kompensojnë pagat për atë kohë, fitimin dhe të gjitha ato tjerat sikur që i kanë kompensuar vendet evropiane. Mos të presin sikur herën e kaluar që të shkojnë më shumë se gjashtë muaj për të zbatuar ligjin për skanimin e ekonomisë në vendin tonë, por të reagojnë menjëherë”, ka përfunduar Piraj për EO.