Fundamenti

Bizneset oligarkike shtrijnë sundimin

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Vetëm kompanitë e lidhura me mafio-politikën kanë perspektivë. Të tjerat mbijetojnë ose falimentojnë, nën presionin e paligjshmërive. Ekonomia në Kosovë po vazhdon të dominohet nga bizneset, të cilat janë zhvilluar në saje të lidhjeve të forta dhe ortakërive, që kanë krijuar me pushtetet e inkriminuara.

Profesori universitar, Muhamet Sadiku, tha për “Kosova Sot” se jemi në një situatë kur ekzistojnë monopolet edhe ekonomia si dhe zhvillimi i sektorit privat dhe në këtë aspekt Kosova gjenden në gjysmë- transioni.

Sipas tij, sa më tepër të zhvillohet sektori privat, aq më shumë zvogëlohet fusha e monopoleve ekonomike, aq më shumë zhvillohet fusha e ndikimit politik dhe të Qeverisë në zhvillimin e jetës ekonomike.

Ai tha se kur kjo do të ndodhë fuqitë kryesore në ekonomi do të jenë oferta agregate dhe kërkesa agregate. “Pra, vetëm atëherë do të kemi një lojë të kapitalizmit modern”, theksoi ai, shkruan gazeta Kosova Sot.

Fundamenti

Priten ndryshime politike

Analisti Sadiku thotë se në këtë fazë të zhvillimeve priten ndryshime edhe në politikë dhe në politikat ekonomike dhe të monopoleve politike të mbështetura nga monopolet ekonomike. “Duhet t’i jepet shans ekonomisë së tregut, ekonomisë së ofertës dhe të kërkesës, pra duhet që t’i jepet shans liberalizimit tregtar. Sepse kjo është ajo formula dhe fjalëkalimi që duhet ta zhvendosë Kosovën nga kjo situatë dhe që do ta fuqizojë demokracinë dhe do ta ndërtojë një politikë të qëndrueshme dhe kjo do të ndikojë edhe për një mjedis miqësor për investime dhe kjo gjithsesi do të reflektohet me fuqizimin e ekonomisë private, sepse ekonomia private duhet që ta ketë rolin kryesor edhe në ekonomi, edhe në Kuvend dhe në Qeveri”, ka potencuar ai. Sipas Sadikut, për të ardhur deri te kjo situatë lë shumë për të dëshiruar, sepse Kosova ka nevojë për një kapitalizëm modern dhe për një kapitalizëm individual dhe egoist, por nuk ka nevojë për monopole egoiste.

Shteti i kapur, rrënues për biznesin

Deputeti i opozitës, Enver Hoti (Nisma ), tha për “Kosova Sot”se është më se e sigurt që ekonomia e vendit jo vetëm që po dominohet, por ajo po shkatërrohet nga grupet e formuara si rezultat i lidhjeve të tyre me grupet dhe klanet që po e drejtojnë vendin me grupet politike që janë krijuar jo vetëm me këtë Qeveri, por edhe qeveritë e mëhershme.”Për pasojë, kjo ka bërë që ekonomia vendit jo vetëm që po dominohet, por e njëjta edhe po shkatërrohet, sepse nuk ka një konkurrencë dhe një mundësi të barabartë në tregun e dominuar nga monopolet. Kjo ka bërë që për çdo ditë të dëgjojmë se po mbyllen biznese të atyre kompanive që nuk kanë asnjë lidhje me pushtetin dhe grupet formale e joformale, pasi ato biznese nuk munden që të qëndrojnë në këtë konkurrencë të brishtë ekonomike”, ka thënë ai. Sipas Hotit, këto biznese po ndikojnë që mos të kemi zhvillim të vendit, por të njëjtat po e shkatërrojnë vendin dhe ekonominë e lirë të tregut dhe çdo ditë kemi një varfëri më të madhe dhe një gjendje më të rëndë për qytetarët e Kosovës. Ndërkaq, i pyetur se deri kur do të zgjatë kjo klimë, opozitari Hoti tha se kjo këngë e sundimtarëve aktualë do të vazhdojë deri me rrëzimin nga pushteti të kësaj Qeverie të inkriminuar në krim dhe në korrupsion. Sipas Hotit, edhe pas shkuarjes në shtëpi të kësaj garniture të pushtetarëve, ata duhet që të ballafaqohen me ligjin dhe organet e drejtësisë. “Mirëpo, e keqja është se po këta sundimtarë e kanë kapur edhe sistemin e drejtësisë dhe shtetin në përgjithësi”, theksoi ai./kosova sot/