Bizneset monopoliste, në duar të familjeve mafio-oligarkike
Ndonëse kanë kaluar 18 vjet nga fundi i luftës, Kosova është shndërruar në një ekonomi të krimit, ngase në vend se të kemi një ekonomi të tregut, pa marrë parasysh se cila parti vjen në pushtet, ekonomia po vazhdon që të mbetet në duart e krimit të organizuar. Analistët vlerësojnë se shumë biznese të mëdha janë në dorë të familjeve mafio-oligarkike që kanë në dorë gjithçka nga institucionet te politika, e po kështu edhe drejtësia.
“Me të drejtë mund të themi se deri më tani edhe qeveria e tanishme e z. Ramush Hardinaj, sikurse të gjitha qeveritë paraprake, ka dështuar që të luftojë ekonominë e krimit, në mënyrë që të ketë një konkurrencë të lirë e fer në aspektin ekonomik. E kemi këtë situatë, ngase me këtë nivel të korrupsionit ende Kosova në syrin e ndërkombëtarëve dhe Bashkimit Evropian shihet si pikë e zezë përderisa nuk ka hapa konkretë nga institucionet kompetente të drejtësisë që të investigohet pasuria e secilit politikan dhe njerëzve të lidhur me politikën”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot” analisti Florim Rrudhani
Ndonëse kanë kaluar 18 vjet nga fundi i luftës, Kosova është shndërruar në një ekonomi të krimit, ngase në vend se të kemi një ekonomi të tregut, pa marrë parasysh se cila parti vjen në pushtet, ekonomia po vazhdon që të mbetet në duart e krimit të organizuar. Analistët vlerësojnë se shumë biznese të mëdha janë në dorë të familjeve mafio-oligarkike që kanë në dorë gjithçka nga institucionet te politika, e po kështu edhe drejtësia.
Sipas tyre, kësaj i shtohet edhe fakti se biznesi më i madh është ai i ekonomisë së zezë dhe kontrabandës, ku edhe në këtë aspekt po këto biznese të mëdha mafio-oligarkike shfrytëzojnë lidhjet e politikës, të cilëve ua lagin fytin për të sjellë mallra kontrabandë. Ndaj analistët me të drejtë thonë se edhe qeveria e tanishme, si të gjitha qeveritë paraprake, ka dështuar ta luftojë ekonominë e krimit në mënyrë që të ketë një konkurrencë të lirë e fer në aspektin ekonomik. Kreu i AKB-së, Agim Shahini, theksoi për gazetën”Kosova Sot” se ekonomia në Kosovë është duke mbijetuar në ekzistencën e skajshme, ngase deri më tash patëm politika shumë të disfavorshe për zhvillimin ekonomik të vendit dhe prodhimtarisë vendore”.
Por ai shtoi se qeveria ka paralajmëruar dhe ka marrë vendim se që nga 1 janari 2018 do të ketë shumë lehtësira për bizneset e Kosovës e kjo është një shpresë se do të bëhet një kthesë e madhe.”Kjo kthesë duhet të shoqërohet edhe me luftën kundër informalitetit që si luftë nuk është e lehtë, por ajo luftë më në fund duhet që të fillojë një ditë”. Sipas Shahinit, qeveria “Haradinaj” nëse do të ketë prioritete një gjë të tillë ajo mundet që ta luftojë këtë, sepse z.Haradinaj nuk i mungon vendosmëria dhe guximi i tij për të vënë ekonominë në binarë të duhur, ngase nuk mungon as guximi për të rrënuar edhe perceptimet e korrupsionit e të burokracisë. Në pyetjen se pse as qeveria “Haradinaj” nuk po ka guximin dhe as që i shkon mendja që të ndërpresë monopolet kriminale, siç është rasti i homologimit, monopol ky i dhuruar vëllezërve Devolli para 9 vitesh, dhe i cili monopol zhvatë kriminalisht dhjetëra miliona euro çdo vit nga qytetarët kosovarë, Shahini theksoi se bazuar në deklarimet e z. Ramush Haradinaj, që i dha ditë më parë në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, se do të krijojë barazi në treg, ne duhet të shpresojmë. “Pra, shpresojmë se kjo do të ndodhë nga 1 janari, ku do të zhvillohet një etapë e re e shoqëruar me plot sfida, por që gjithsesi se do të ndodhë në të mirë të vendit”, është shprehur ai.
Beqiri: Bizneset kosovare po ballafaqohen me shumë barriera
Analisti Lulzim Beqiri theksoi për “Kosova Sot” se edhe 18 vjet pas lufte Kosova ballafaqohet me shumë sfida e probleme dhe njëri nga kryesorët është zhvillimi ekonomik, pasi bizneset kosovare po ballafaqohen me shumë barriera, në mesin e tyre edhe ndikimi i politikës në veprimtarinë e tyre afariste. “Ky ndikim po i dëmton tej mase bizneset që nuk kanë krah dhe si pasojë e ndikimit politik ato biznese po detyrohen që t’i zgjidhin dy rrugë, ose të mbyllin aktivitetin e tyre ose të japin përqindjen e kërkuar nga disa grupe mafioze”, është shprehur Beqiri.
Ai tutje ka shtuar se Kosova ballafaqohet me një krizë të paparë, duke shtuar se çdo qeveri që vjen ndryshon politikat ndaj bizneseve, çka edhe janë detyruar shumë biznese që ta mbyllin aktivitetin e tyre afarist. “Ende ka probleme me fiskalizim, shumë biznese nuk janë fiskalizuar duke kontribuar në ekonominë informale dhe sigurisht me bekimin e politikës, sepse pa një mbështetje nuk do të kishim një gjendje e tillë”, është shprehur Beqiri. Ai theksoi se jemi dëshmitarë të ngritjes së qindra aktakuzave, por në fund prapë po shpallen si të pafajshëm dhe gjitha ato keqpërdorime po kthehen në pikën fillestare, pa ndonjë fajtor. “Biznesmenët kosovarë kanë edhe qindra vështirësi të tjera, kamatat e larta, nepotizmin, korrupsionin, ekonomia informale, haraçin, mosfunksionimin e gjykatave e shumë parregullsi të tjera, të cilat po e vështirësojnë veprimtarinë ekonomike në vend”, është shprehur Beqiri. Sipas tij, politikanë të korruptuar, të profilit të lartë, dominojnë tregun në vend. Shumica nga politikanët kosovarë kanë biznese dhe këto biznese në shumicën e rasteve për çudi janë fituesit e tenderëve, përfitojnë grante. Pra, për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm duhet një efikasitet i gjykatave dhe themelimi i një task-force të policisë ekonomike për t’i luftuar këta zhvatës me letra. Jam i bindur se Kosova ka për t’u bërë, por duhet një angazhim më i madh i qytetarëve”, është shprehur ai.
Rudhani: Pushtetarëve u ‘laget fyti’ për t’i futur mallrat kontrabandë
Analisti Florim Rudhani theksoi për gazetën “Kosova Sot’ se e kemi këtë situatë të brishtë dhe me një ekonomi të krimit, ngase shumë biznese të mëdha janë në dorë të familjeve mafio-oligarkike që kanë në dorë gjithçka, nga institucionet te politika e po kështu edhe drejtësia. Ai shtoi se biznesi më i madh është ai i ekonomisë së zezë dhe kontrabandës, ku edhe në këtë aspekt po këto biznese të mëdha mafio-oligarkike shfrytëzojnë lidhjet e politikës ,të cilëve ua ‘lagin fytin’ për të sjellë mallra kontrabandë. “Ndaj me të drejtë mund të themi se deri më tani edhe qeveria e tanishme e z. Ramush Hardinaj, sikurse të gjitha qeveritë paraprake, edhe kjo ka dështuar që ta luftojë ekonominë e krimit në mënyrë që të ketë një konkurrencë të lirë e fer në aspektin ekonomik”, është shprehur ai. Tutje ka shtuar: “E kemi këtë situatë ngase me këtë nivel të korrupsionit ende Kosova në syrin e ndërkombëtarëve dhe Bashkimit Evropian shihet si pikë e zezë që përderisa nuk ka hapa konkretë nga institucionet kompetente të drejtë- sisë që të investigohet pasuria e secilit politikan dhe njerëzve të lidhur me politikën nuk ka përmirësim dhe perspektivë ekonomike dhe mirëqenie për qytetarin që kjo duhet të jetë interes dhe strategji kombëtare e Kosovës për të përmirësuar imazhin e vet karshi faktorit ndërkombëtar si politik dhe ekonomik”, është shprehur analisti Florim Rrudhani.
Maloku: Nga paslufta, te ne kemi ekonomi me elemente të krimit
Afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka thënë për gazetën “Kosova Sot” se me këtë lloj të qeverisjes, si kanë qenë deri më tash, edhe nuk është pritur se do të kemi zhvillim ekonomik dhe investime të huaja apo vendore, po qe se këto biznese nuk janë pjesë e skemave mafioze dhe kriminale.”E themi lirshëm se edhe në Kosovë ekziston një ekonomi me elemente të krimit dhe e tëra kjo vjen nga kërkesat e pushtetarëve tanë, që nga investitorët vendorë dhe të huaj po kërkojnë që t’ua ‘lagësh fytin’ me ryshfet dhe zhvatje që në start dhe për pasojë e kemi situatën që po i largon investitorët e huaj potencialë”, është shprehur ai.
Sipas Malokut, edhe kjo ka bërë që një pjesë të madhe të ekonomisë e zotërojnë mafio-oligarkët dhe nëntoka mafioze, të cilët e kontrollonin si politikën ashtu edhe drejtësinë dhe gjithë dikasteret e shtetit. “E kemi këtë gjendje me një ekonomi të krimit, pasi nuk po kemi investime të huaja, sepse investitorëve të huaj u kërkohen tarifa aq të larta të ryshfetit dhe tallit saqë investitorët thonë se me këto zhvatje që u bëhen edhe nuk ia vlen që të investosh fare në Kosovë, andaj edhe po largohen nga Kosova”, është shprehur ai. Sipas Malokut, Qeveria “Haradinaj” mbetet e vetmja shpresë se edhe në këtë vend do të shthuret ky lëmsh. “Sepse, nëse edhe kjo qeveri nuk e ndal këtë dukuri, atëherë Kosovën e qytetarët e saj i presin ditë shumë të vështira. Kjo sepse në të gjitha ato shtete kur ekonomia e atij vendi është në duart të njerëzve të fuqishëm dhe që janë tejet të inkriminuar, të cilët kontrollojnë të gjitha partitë pa dallim dhe duke ua ‘lagur fytin’ me ryshfet me miliona euro pa ndërprerë që vijnë nga krimi i organizuar, ekonominë e atij vendi e presin ditë të vështira”, është shprehur Maloku për gazetën “Kosova Sot”.
Analisti Xhevdet Neziraj thekson se qeverisja nën udhëheqjen e z. Haradinaj do të ndërmarrë masa të shpejta për një zhvillim të hovshëm ekonomik pa monopole dhe oligarki, sepse është koha e fundit që qytetari i vendit të jetojë me dinjitet dhe në perspektivë. “Qeveria jonë duhet që të krijojë një vend ku dëshirojmë të jetojmë më mirë dhe ku do të ketë perspektivë për fëmijët tanë”, është shprehur ai
Hoti: Parakusht i zhvillimit ekonomik është një drejtësi funksionale
Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti ( Nisma), theksoi për gazetën “Kosova Sot” se Qeveria “Haradinaj” është e vendosur të shkëputemi nga mentaliteti i udhëheqjes së vjetër dhe dikasteret kyçe dhe ministritë do të parandalojnë metodat e vjetra, duke emëruar në poste kyçe njerëz ekspertë dhe profesionistë dhe jo sikurse deri më tani, militantë partiakë.”Jemi të vendosur që brenda këtyre dikastereve qeverisëse dhe ministritë ku janë të vendosur militantët partiakë aty nevojiten të emërohen ekspertë të fushave përkatëse”, është shprehur ai për gazetën.
Sipas Hotit,”qeveria do të bëjë ndryshime të mëdha krahasuar me qeveritë e kaluara, duke e parandaluar mundësinë që në institucione dhe dikastere, të cilat janë bartëse të zhvillimit ekonomik, të udhëhiqen nga njerëz të aftë dhe profesionistë, që garantojnë suksese. “Kjo politikë duhet të vlejë edhe për drejtësinë. Jemi deklaruar se pa u vendosur një sistem funksional dhe shtet funksional dhe me një drejtësi funksionale asgjë nga ato që i thamë më sipër nuk do të mund të arrihet. Kjo është detyrë e kësaj qeverie”, është shprehur ai.
“Shumica nga politikanët kosovarë kanë biznese dhe këto biznese në shumicën e rasteve për çudi janë fituesit e tenderëve, përfitojnë grante. Pra, për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm duhet një efikasitet i gjykatave dhe themelimi i një task-force të policisë ekonomike, për t’i luftuar këta zhvatës me letra. Jam i bindur se Kosova ka për t’u bërë, por duhet një angazhim më i madh i qytetarëve”, është shprehur eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri
“Nëse edhe kjo qeveri nuk e ndalë këtë dukuri, atëherë Kosovën e qytetarët e saj e presin ditë shumë të vështira. Kjo sepse në të gjitha ato shtete kur ekonomia e atij vendi është në duart të njerëzve të fuqishëm dhe që janë tejet të inkriminuar dhe që cilët kontrollojnë të gjitha partitë pa dallim dhe duke ua ‘lagur fytin’ me ryshfet me miliona euro pandërprerë që vijnë nga krimi i organizuar, ekonominë e atij vendi e presin ditë të vështira”, është shprehur Ramadan Maloku për gazetën “Kosova Sot”
Neziraj: Kërkohen veprime konkrete dhe efikase
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, theksoi për “Kosova Sot” se qytetarët janë të dëshpëruar me gjithë rrjedhën politike dhe ekonomike të vendit. “Kosova, edhe pse e pasur, i ka gati mbi 50 për qind të qytetarëve pa punë. Por, për të pasur ndryshime për të mirë, përfshirë edhe ekonominë, në radhë të parë duhet të mbizotërojë sundimi i ligjit jo vetëm nëpër tryeza të rrumbullakëta, të organizuara nga ambasadat e vendeve të Kuintit, por duhet veprime konkrete dhe efikase, sepse të gjithë nga BE-ja po kërkojnë lufte të ashpër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, është shprehur ai.
Neziraj theksoi se për të arritur këtë në radhë të parë është lufta ndaj atyre individëve që kanë krijuar një rrjet të fuqishëm ekonomik jo me punë dhe djersë, por duke i shfrytëzuar mangësitë ligjore dhe tranzicionin ekonomik dhe më shumë i kanë shkaktuar dëme vendit sesa kanë ndikuar në ndërtimin e vendit. “Në këtë vend duhet të ketë sundim të ligjit dhe askush të mos jetë mbi ligjin, as biznesmenë e as politikanë, por të vlejë ligji në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe veç në këtë mënyrë mundemi të bëhemi pjesë e familjes së gjerë të BE-së”, është shprehur ai.
Neziraj thekson se Qeverisja nën udhëheqjen e z. Haradinaj do të ndërmarrë masa të shpejta për një zhvillim të hovshëm ekonomik pa monopole dhe oligarkik, sepse është koha e fundit që qytetari i vendit të jetojë me dinjitet dhe në perspektivë.”Qeveria jonë duhet që të krijojmë një vend ku dëshirojmë të jetojmë më mirë dhe ku do të ketë perspektive për fëmijët tanë”, është shprehur ai. Vëllezërit Devolli si gjithmonë nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me çështjen në fjalë.
(Kosova Sot)


