UBT

Bizneset me 1001 probleme

/ 3 minuta lexim

Sektori privat në Kosovë edhe më tej vazhdon të sfidohet me barriera të ndryshme në të bërit biznes. Çmimi i energjisë elektrike, furnizimi me energji elektrike, kostot e kredive financiare, jostabiliteti politik dhe korrupsioni shihen si pengesat më kryesore të jashtme që janë identifikuar te kompanitë sa i përket vështirësive në të bërit biznes.

Këto të dhëna kanë dalë nga studimi mbi identifikimin e vështirësive të të bërit biznes i hartuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me përkrahje të GIZ-it. Gjatë këtij studimi janë kontaktuar 427 kompani të ndryshme gjatë muajit dhjetor të vitit 2014.

Rezultatet tregojnë se kompanitë e sektorit të tregut me shumicë hasin në më shumë pengesa të brendshme në krahasim me atë të sektorit të ndërtimeve.

Po ashtu, kompanitë më të mëdha hasin në më shumë probleme të brendshme se sa mikro kompanitë apo kompanitë e vogla. Po ashtu është cekur nevoja, apo mungesa e një biznes plani për të gjitha kompanitë pa dallim sektori dhe madhësie.

KKGJILAN

Më tej studimi tregon se 50 për qind e kompanive të anketuara paralajmërojnë rritje të të hyrave në vitin 2015 shoqëruar me një rritje prej 40 për qind të investimeve në po të njëjtin vit. Ndërsa sa i përket dinamikës ekonomike, 75 për qind e kompanive të anketuara kanë rezultuar në një shtim të klientelës në vitin 2014 gjë që flet për ekonominë dinamike të Kosovës në përgjithësi.

Në disa raste numri jo i mjaftueshëm i konsumatorëve, i karakterizuar me 24 për qind paraqet njërën nga vështirësitë e brendshme më të dalluara. Vështirësitë brenda firmës apo të brendshme janë më pak të dalluara.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka thënë se studimi ishte dizajnuar në mënyrë që të identifikonte dhe artikulonte këto pengesa në komunitetin biznesor të Kosovës.
“OEK-u, si partner kryesor i këtij komuniteti, do t’i prezantojë këto të dhëna Qeverisë së Kosovës në mënyrë që së bashku të mundësojmë përmirësimin e klimës biznesore si për investitorët e jashtëm, ashtu edhe për kompanitë vendore”, ka thënë Gërxhaliu.

Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka vlerësuar lartë punën e bërë në identifikimin e pengesave me të cilat ballafaqohen bizneset kosovare si bazë për zgjidhjen e problemeve në të bërit biznes. Ndërsa zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Mathias Kiesler ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes së problemit të çmimit dhe furnizimit me energji elektrike si një brengë dhe pengesë afatgjate për zhvillimin ekonomik të Kosovës. /Telegrafi/