Fundamenti

Bizneset mafio-oligarkike e kanë zaptuar ekonominë e vendit

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Ekspertë të ekonomisë dhe njohës të kësaj fushe vlerësojnë se me këtë klasë politike, pa marrë parasysh se cila parti apo cili koalicion udhëheq, nuk ka asnjë shans të shkapet shteti i kapur nga “nëntoka kriminale” dhe mafio-oligarkët e bizneseve të inkriminuara, që zotërojnë gjithçka në saje të lidhjeve të forta me pushtetin e tejkorruptuar e të kriminalizuar.

Kadriaj: Për fat të keq, në praktikë e kemi një ekonomi monopoliste dhe oligopoliste të bizneseve të lidhura me pushtetin

Ekspertë të ekonomisë dhe njohës të kësaj fushe vlerësojnë se me këtë klasë politike, pa marrë parasysh se cila parti apo cili koalicion udhëheq, nuk ka asnjë shans të shkapet shteti i kapur nga “nëntoka kriminale” dhe mafio-oligarkët e bizneseve të inkriminuara, që zotërojnë gjithçka në saje të lidhjeve të forta me pushtetin e tejkorruptuar e të kriminalizuar.

Sipas tyre, këta edhe ia dhanë të mbrapshtën ekonomisë së vendit dhe u dhanë vulë e jetë të gjatë monopoleve kriminale, prandaj edhe nuk mund të pritet asgjë e mirë, qoftë kur hip njëra në pushtet apo tjetra parti apo koalicion. Ata thonë se Kosovës i duhet një model tjetër qeverisjeje në ekonomi për të pasur liberalizim të plotë të tregut, konkurrencë të lirë mes bizneseve dhe jo që krimi i organizuar kapur nga nëntoka e mafiooligarkisë që diktojnë e udhëheqin shtetin kriminalisht, sikurse që kanë bërë deri më tani. Deputeti i opozitës, Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot” thotë se koha tashmë po dëshmon se pas 20 vjetësh të sundimit të këtyre koalicioneve Kosovës i duhet një model tjetër qeverisjeje në ekonomi, për të pasur liberalizim të plotë të tregut, konkurrencë të lirë mes bizneseve dhe jo që krimi i organizuar dhe nëntoka e mafio-oligarkisë të diktojnë e udhëheqin shtetin kriminalist, sikurse që e kanë bërë deri më tani. “Sundimi i tyre 20-vjeçar po na tregon dhe sikur po na i hap sytë me gisht se me këtë klasë politike, pa marrë parasysh se cila parti apo cili koalicion udhëheq, nuk ka shans të shkapet shteti i kapur nga “nëntoka kriminale ” dhe mafio-oligarkët e bizneseve të inkriminuara, që zotërojnë gjithçka në saje të lidhjeve të forta me pushtetin e tejkorruptuar e të kriminalizuar”, është shprehur ai. Sipas Salihut, nga të gjitha ato parti politike që ua dhanë të mbrapshtën qytetarëve dhe ekonomisë së vendit dhe në të njëjtën kohë edhe u dhanë vulë e jetë të gjatë monopoleve kriminale, nuk mund të pritet asgjë e mirë, qoftë kur njëra është në pushtet apo tjetra pasi që të dyja janë kriminale.”Ka ardhur koha për ndryshime dhe për një klasë të re politike, të shkolluar e të përgjegjshme, dhe që di se si të qeverisë dhe që di të punojë për vendin e qytetarët e saj dhe që në radhë të parë është klasë politike e shkolluar e përgjegjshme, e pakorruptuar dhe atdhetare”, është shprehur ai

Mobi Casa

GRAPCI: POLITIKANËT TANË MË SHUMË JANË BIZNESMENË SESA POLITIKANË
Analisti Dardan Grapci për “Kosova Sot” theksoi se qytetarët tanë e kanë shpresën vetëm te Gjykata Speciale, sepse vetëm ajo mundet të lëkundë “bosët” kryesorë të monopolit politik, ekonomik, që kanë shkatërruar Kosovën, ngase mbrapa këtij monopoli ekonomik qëndrojnë figurat më të larta të shtetit, që e kanë shkatërruar ekonominë e Kosovës.”Është për keqardhje se kush po e udhëheq shtetin, duke e marrë parasysh që shumica nga këta politikanë jo vetëm që janë të inkriminuar, por janë gjithashtu edhe në listën e zezë të Gjykatës Speciale dhe shumë shpejt do të gjykohen. Andaj, them lirshëm se kasta politike kosovare më shumë janë biznesmenë sesa politikanë. Sepse pasuria dhe jeta e tyre luksoze nuk justifikohen me pagat e kjo dëshmon një të vërtetë, që krimi i organizuar e ka burimin në Kuvend dhe në Qeveri, që e bën kjo klasë politike. Kjo klasë politike nuk mund ta shkapë shtetin nga nëntoka e kriminalizuar, që në prapavijë është oligarkia, e cila flirton me klasën politike të korruptuar të Kosovës, sepse i bie ta luftojë vetveten”, theksoi analisti Dardan Grapci për gazetën “Kosova Sot”.

Istogu: Jotransparenca financiare e partive politike, thelbi i krejt kriminalizimit
Analisti i ekonomisë, Zekim Istogu, për gazetën “Kosova Sot” thotë se mostransparenca financiare e partive politike është thelbi i krejt kriminalizimit të klasës sonë politike.”Partitë politike gjithmonë janë në garë ndërmjet vete për të futur nën kontrollin e tyre bizneset e mëdha, të cilat veprimtaritë e tyre i kanë kryesisht në kontratat me shtetin, qoftë në shërbime, në investime kapitale, subvencionim të projekteve, në shfrytëzimin e aseteve shtetërore për përfitime materiale etj., madje edhe më keq, duke pastruar paratë e paligjshme të disa njerëzve në pushtet. Gjithashtu, njerëzit kyçë të partive kanë krijuar biznese të fuqishme nën emra të kamufluar, me të cilat menaxhojnë projekte kapitale të financuara nga buxheti i shtetit, apo edhe më keq, duke pastruar paratë e paligjshme të disa njerëzve në pushtet”, është shprehur ai.”Ky fenomen i veprimit të klasës sonë politike ka krijuar një lidhje kriminale në mes të disa bizneseve, të cilat në mënyrë të paligjshme financojnë fushatat elektorale të partive dhe kandidatëve të caktuar, të cilat pastaj si shpërblim marrin favore financiare në mënyra të ndryshme, si në formë tenderësh, në subvencione, në rirregullimin e pasqyrave financiare për të ulur detyrimet ndaj shtetit, favorizimi i zhvillimit dhe investimeve në zonat ku kanë shtrirje veprimtaritë e këtyre bizneseve etj.”, është shprehur Istogu. Ai thotë se, duke financuar në mënyrë të paligjshme partitë politike në fushatë zgjedhore, në secilën legjislaturë, mbesin në pushtet njerëzit e njëjtë dhe e njëjta mënyrë e qeverisjes.”Krijimi i një bashkëdyzimi të tillë politikë -biznes e mban në pushtet filozofinë e njëjtë të veprimit politik, pa marrë parasysh ngjyrimin politik. Kjo nuk ka të ngjarë të ndryshojë, sepse të gjitha klanet, edhe ato politike, edhe bizneset e lidhura me politikën, po përfitojnë nga ky bashkëpunim dhe janë në shërbim të njëra-tjetrës. Kjo ka zvogëluar në mënyrë drastike investimet e huaja dhe nuk po siguron një rritje ekonomike të mirëfilltë për të ulur papunësinë në hap të njëjtë zhvillimi me vendet e rajonit. Për të krijuar një model tjetër qeverisjeje, duhet të bëhet një punë e madhe në krijimin e mekanizmave për mbikëqyrjen e financimit të partive politike, të zbatimit në përpikëri të legjislacionit mbi transparencën financiare të kandidatëve për poste politike dhe poste tjera të rëndësishme shtetërore, duhet të krijojmë një pavarësi të plotë të gjyqësisë, të krijohen borde profesionale dhe plotësisht jopolitike”. Istogu thotë se në ndërmarrjet publike dhe në komisionet mbikëqyrëse të largohen nga vendimmarrja të gjithë njerëzit e përfshirë në vepra penale.”Të gjitha kontratat shtetërore dhe shpenzimi i buxhetit të bëhen publike në kohë reale. Pa bërë hapa drastikë në fushat e cekura më lart, nuk ka liberalizim të tregut, as nuk do të ketë asnjë ndryshim me mënyrën e qeverisjes së shtetit”, është shprehur ai.

Kadriaj: Korrupsioni i ka prekur të gjitha nivelet qeverisëse
Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për “Kosova Sot” thotë se prekja e korrupsionit në të gjitha nivelet qeverisëse, si qendror dhe lokal, po ashtu të gjitha partitë politike që e shijuan pushtetin, nuk ishin imune ndaj korrupsionit.”Me këtë po dëshmohet që shteti nuk funksionin mbi bazën e ndërgjegjes, por me funksionim të shtetit ligjor duhet krijuar drejtësinë për të gjithë pa dallim”. Sipas analistit Kadriaj, si rezultat i nivelit të lartë të korrupsionit, ekonomia e Kosovës është kthyer pra mbrapa me nivel të ulët të zhvillimit ekonomik dhe me humbje e besimit tek investitorët e mundshëm. “Sistemi më i suksesshëm është ekonomia e tregut, ndonëse Kosova me Kushtetutë dhe me anën ligjore është përcaktuar për një ekonomi të tregut, por për fat të keq në praktikë e kemi një ekonomi monopoliste dhe oligopoliste të bizneseve që janë të lidhura me njerëzit e pushtetit apo të lidhur me pushtetin, biznese të cilat e diktojnë funksionimin e ekonomisë në Kosovë”, është shprehur ai. Sipas tij, Kosova ka bazë ligjore, por nuk ka funksionim të ligjit dhe si rezultat i saj që nga paslufta kemi zhvatje të parasë publike dhe si rezultat i këtyre politikave sot kemi pushtetarë të pasur e biznesmenë të varfër dhe kjo është e papranueshme në një ekonomi të tregut. Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se situata e tashme ku jemi, buzë greminës, për momentin na tregon qartë se ekonomia është më shumë se në fund të pusit.”Kjo po ndodh ngase që nga paslufta e deri më tani nuk kemi pasur një klasë të përgjegjshme politike, e cila i jep prioritet ekonomisë, zhvillimit të saj, si luftimit të monopoleve, luftimit të tenderomanisë, luftimit të ekonomisë informale, luftimit të haraçit, luftimit të dukurive të cilat janë në dëm të një ekonomie të tregut”. Sipas Beqirit, çdo ditë po dëgjojmë nga spektri ynë politik se qëllimin e vetëm e kanë lulëzimin ekonomik të Kosovës, e në realitet kjo nuk është duke ndodhur. Ndërsa, deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për “Kosova Sot” thotë se subjektet politike, qoftë në pozitë ose opozitë, nuk mund të kenë rrugë të mbarë për zhvillimin e vendit nëse nuk ndërmarrin masa drastike për eliminimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.”Sepse luftën ndaj korrupsionit, përveçse e kemi kusht për liberalizimin e vizave, ajo është duke e varfëruar vendin dhe duke e parandaluar zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe duke mos i joshur investitorët e huaj dhe vendorë, të cilët do të kishin krijuar vende të reja të punës, që janë më se të domosdoshme kur të kihet parasysh se kemi një popullatë shumë të re në tregun e punës”. Sipas Nezirajt, partia politike ose koalicioni në qeverisje të vendit duhet të angazhohen të ndërtojnë një vend të pasur ekonomik, në të cilin qytetarët tanë jetojë nga puna e tij, me dinjitet dhe krenari dhe jo duke mbajtur fjalime boshe, sikurse deri më tash, por te kemi strategji konkrete dhe të afatizuar, të ndikojë në zhvillim të hovshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik, sepse nuk do të kemi shtet prosperues nëse qytetarit tonë nuk i garantohet mundësia për të krijuar dhe investuar për një mirëqenie më të mirë

(Kosova Sot)