RCCOLA

Bizneset kërkojnë mbështetje nga Qeveria, prioritet të jetë heqja e taksës doganore për lëndën e parë

/ 4 minuta lexim

Bizneset prodhuese në vend, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’u dalë në ndihmë duke e larguar taksën doganore për lëndën e parë, raporton Ekonomia Online.

Prodhuesit kërkojnë që institucionet vendëse të marrin shembull shtetet fqinje, ku atje kompanitë të cilat investojnë, janë të liruara nga tatimi në fitim dhe i pagës.

Ndonëse përballen me shumë sfida, prodhuesit shprehën të bindur se produktet e tyre konkurrojnë me ato evropiane.

Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka kërkuar që të largohet taksa doganore për kanaçet, siç e kanë bërë vendet anëtare të CEFTA-s.“Ne sot e kësaj dite në pjesë rezervë po paguajmë taksë doganore, sot e kësaj dite po paguajmë me taksë doganore në kanaçe. Kemi biseduar me Ministrin e Financave por shpresojmë që të merren në shqyrtim se prej 2006-ës anëtarët të cilët janë në CEFTA nuk i paguajnë këto taksa, vetëm prodhuesit kosovar. Duhet të lirohet prodhimi i Kosovës nga këto taksa dhe duhet të jetë i barabartë me të tjerët se me të vërtetë në vendin tonë ne jemi të keqtrajtuar”, u shpreh Piraj.

Fidanishtja

Ndonëse thotë se është sfiduese të bësh biznes në Kosovë, Piraj thotë se e bën me kënaqësi të madhe.Thotë se produktet kosovare nuk kanë dallim me produktet botërore.“Unë po them me plotë kuptimin e fjalës me bindje të plotë nuk ka produkte më cilësore se në Kosovë në regjion, por janë konkurrente me ato evropiane dhe më gjerë. Është prodhimi jashtëzakonisht shumë cilësor edhe shumë i shëndetshëm sa i përket atij ushqimor që po prodhohet në Kosovë e ato të tjerat po eksportohen në Zvicër në Gjermani, gjithkah si mobiliet si gjërat e tjera, si edhe dija e kosovarëve plot kompani që po bëjnë projekte të ndryshme po konkurrojnë në botë, po marrin tenderë anekënd botës, ne jemi ata që mund ta ndryshojmë vetveten tonë, jemi ata që duhet të kemi një besim shumë të madh në veten tonë dhe nuk ka dyshim se duhet të mbështetemi në forcat tona dhe të shkojmë përpara”, thotë ai.

E pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, tha për Ekonomia Online, se mbështetja më e madhe i vjen nga Ministria e Tregtisë rreth mundësisë për pjesëmarrje nëpër panaire.“Nëse flasim për mbështetje, mbështetja më e madhe nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është sa i përket mundësisë së pjesëmarrjes në panairet e ndryshme të cilat na kanë sjellë edhe mundësi për zgjerim në tregjet ndërkombëtare, por kjo për dikë është e pamjaftueshme sepse prodhimi do të duhej më shumë mbështetje aq më tepër kur shohim që ne atë çka mund t’a plasojmë në një treg prej 2 milionë banorëve sikur të kishte më shumë mbështetje”, tha Palushi, teksa ka kërkuar që institucionet kosovare të marrin shembull Maqedoninë e Veriut.“Nëse marrim një shembull Maqedoninë e Veriut, atje për kompanitë të cilat investojnë, janë të liruara nga tatimi në fitim për 5 vite si dhe tatimin e pagave. E gjithë kjo sigurisht për ne nuk do të duhej të akumulojmë këtë fitim dhe të përfitojmë për vete, por ne mund të riorientojmë në rritje të gamës së prodhimeve apo rritjes së kapaciteteve prodhuese”, tha tutje ai.

“Prandaj nëse pavarësisht këtyre vështirësive prapë se prapë ja vlen të investohet dhe të prodhohet në Kosovë sepse neve na mungojnë disa vështirësi, gjithsesi por i kemi disa lehtësi edhe në perëndim të krijosh biznes vetë prodhimi nuk është i lehtë. Atje sigurisht vetëm fillimi, ballafaqimi me leje të ndryshme pastaj tatimi janë më të shumëfishuara, këtu në Kosovë megjithatë tatimet janë në nivelin më të ulët dhe kjo në një mënyrë prapë se prapë e bën Kosovën atraktive por jo ndoshta në masën që do të duhej dhe jo në mundësitë dhe kapacitete që i ka Kosova për të krijuar më shumë prodhues dhe më shumë produkte”, tha tutje Palushi.