Mobi Casa

Bixhoz me shtetin!

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Lavdim Hamidi – Hashim Thaçi po e rrezikon shtetin për ta mbajtur edhe më tej pushtetin. Në kohën kur të hyrat nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë shumë më poshtë se plani, kryeministri në detyrë po paralajmëron rritje enorme të shpenzimeve buxhetore. Si pasojë e rritjes së pagave edhe për 25 për qind për të gjithë mësimdhënësit prej fillimit të ardhshëm, ndonëse pak muaj më parë i kishte rritur me një përqindje të tillë pagat e të gjithë shërbyesve civilë. E në periudhën kur shpenzimet janë shumë më të larta se sa të hyrat dhe në të njëjtën kohë kur mungojnë rezervat buxhetore në Bankën Qendrore, atëherë s’ka se si të mos shkojë vendi drejt falimentimit.

Kjo situatë kur Thaçi merr vendime të papërgjegjshme për rritje të shpenzimeve buxhetore, i ka vënë në mat pozicion edhe liderët opozitarë, të cilët nuk janë në gjendje ta kundërshtojnë një vendim të tillë, nga frika se do të humbin vota në rast se vendi rrëshqet drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Për të treguar se kanë përgjegjësi institucionale, drejtuesit e Bllokut opozitar, sidomos Isa Mustafa e Ramush Haradinaj, menjëherë do të duhej që të deklaroheshin kundër rritjeve të tilla të shpenzimeve buxhetore me rastin e rritjes së pagave dhe njëkohësisht, duke prezantuar strategjinë e tyre për hapjen e vendeve të reja të punës. Fundja shumë më e pranueshme për familjet kosovare do të ishte punësimi i anëtarëve të tyre të papunë se sa t’u rriten pagat qoftë edhe për 25 për qind të atyre që punojnë.

Një kryeministër në detyrë normalisht se do të duhej të mendonte për përmirësimin e mirëqenies së shërbyesve civilë, por një gjë e tillë nuk është e moralshme të ndodhë vetëm në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe njëkohësisht duke e lëkundur stabilitetin financiar të shtetit. Rritja e pagave në sektorin publik do të duhej të ndodhte në vazhdimësi dhe krahas rritjes së të hyrave buxhetore. Pagat e rreth 80 mijë shërbyesve civilë të Kosovës u rritën për 25 për qind prej 1 marsit të këtij viti, dy muaj para se të fillonte fushata zgjedhore për zgjedhjet e fundit parlamentare.

Mobi Casa

Kjo strategji e rritjes së pagave i ndihmoi partisë së Hashim Thaçit që të dalë e para në zgjedhjet e 8 qershorit, mirëpo nuk i mundësoi që t’i krijojë institucionet qendrore, kur të gjitha partitë e bllokut opozitar janë këmbëngulëse për të mos bërë koalicion me PDK-në. E me bekimin e Kushtetueses, nëse PDK-ja nuk do të mundë t’i krijojë institucionet qendrore, atëherë vendi padyshim se do të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

E në zgjedhje të reja pa rritje të pagave në sektorin publik, Hashim Thaçi e ka kuptuar se nuk mund të shkohet, prandaj me fillim të këtij viti shkollor mësimdhënësve ua kumtoi lajmin e gëzueshëm se pagat e tyre do të rriten edhe për 25 për qind prej fillimit të vitit të ardhshëm. Kjo rritje e pagave për 50 për qind për një periudhë më të shkurtër se 1-vjeçare është e papërballueshme për buxhetin e vogël të Kosovës dhe do ta çojë shtetin më të ri të Evropës drejt rrugës së Greqisë, pasi që do t’i rrisë shpenzimet në kategorinë e pagave
edhe për mbi 200 milionë euro në vit.

Me një qasje të tillë, kur Thaçi merr vendime për rritje enorme të shpenzimeve nga pozicioni i kryeministrit në largim, e kur partitë opozitare nuk janë në gjendje të kundërshtojnë një rritje të tillë të pagave në sektorin publik, është më se e qartë se votuesit kosovarë nuk do të kenë kurrfarë alternative as në këto zgjedhje. “Alternativë” e tyre përsëri do të jenë liderët që patën afera të shumta korruptive, të cilët vjedhjen industriale të votave që ndodhi në zgjedhjet e vitit 2010, po e zëvendësojnë me blerje industriale të votave, nëpërmjet rritjes së pagave. Dhe kandidat për kryeministër përsëri do ta kenë një lider të partisë më të madhe, i cili vepron me logjikën e bixhozçiut, “o do t’i fitoj të gjitha, o do të humbas gjithçka”!