Bislimi: Vuçiq në takime private në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet përgatitur terreni

Zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i ekipit negociator në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, në një intervistë për RTK, ka thënë se fillimisht dialogu me Serbinë ishte planifikuar të zgjasë dy vjet, derisa sot po hyjmë në vitin e dymbëdhjetë të këtij procesi.

Ai theksoi se çdo vonesë në arritjen e zgjidhjes përfundimtare e dëmton sigurinë dhe paqen në rajon dhe se Kosova e Serbia, përkatësisht qytetarët e të dyja vendeve do të vuajnë pasojat më të mëdha. Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve, Bislimi tha se njohja reciproke është e rëndësishme, nëse jo edhe elementi kryesor i atij normalizimi, sepse pa të, siç shtoi ai, është e vështirë të normalizohen marrëdhëniet.

“Vuçiq në takime private para zyrtarëve në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet të përgatitet terreni në Serbi, duhet kohë dhe pastaj në publik thotë se nuk do ta njohë kurrë. Njohja reciproke do të kontribuonte në shfrytëzimin shumë më të mirë të resurseve që ka Kosova dhe Serbia, të cilat ne mund t’i ofrojmë edhe Evropës. Por ajo që ne u përpoqëm të vërtetojmë në Bruksel është se përparimi i Kosovës nuk varet nga vetë njohja. Njohja është e rëndësishme për ne, kontribuon për paqen, por Kosova mund të zhvillohet pa njohje. Në fakt, ne kemi dokumentuar gjatë 18 muajve të fundit se në këtë rast njohja dhe normalizimi i kontribuojnë më shumë Serbisë sesa Kosovës”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka theksuar se Kosova tashmë është demokratizuar dhe e ka rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë në rajon.

Sipas Bislimit Kosova ka progres të madh edhe në sundimin e ligjit, gjë e cila siç ka thënë ai nuk mund të thuhet për Serbinë.Shefi i ekipit negociator të Kosovës shtoi se, nëse njohjen reciproke e shohim si peng, atëherë Serbia është më shumë se Kosova peng i kësaj njohjeje reciproke./RTK/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS