Bislimi përkrah prodhuesit vendor

Gjilan – Në vazhdën e vizitave nëpër komunë, Faton Bislimi, kandidat për kryetar, ka pasur disa vizita në terren me bizneset vendore prodhuese. Bislimi me bashkëpunëtorë pati një takim dhe mikpritje të përzemërt me udhëheqësit dhe punëtorët e fabrikës “Integj” dhe asaj “Albimi”.
Nga drejtuesit e këtyre dy ndërmarrjeve prodhuese, Bislimi u informua për mungesën e përkrahjes së nevojshme institucionale për prodhuesit vendor, sikur edhe për angazhimin e këtyre ndërmarrësve për rritje të kapaciteteve prodhuese përkundër të gjitha vështirësive.
Bislimi i njoftoi këta ndërmarrës se beson fuqishëm në faktin se prodhimtaria është bazamenti kryesor për ndërtimin e një shoqërie dhe shteti funksional e të zhvilluar. “Këtu krijohet buka. Këtu zhvillohet shteti. Komuna e Gjilanit nën udhëheqjen tonë gjatë mandatit të ardhshëm do të jetë në shërbim të rregullt, të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshëm të bizneseve në Gjilan. Ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për t’iu ndihmuar ndërmarrësve si këto fabrika që vizituam ashtu që të rriten kapacitet e tyre prodhuese, dhe me atë të gjenerohen vende te reja të punës.”
Gjilani ka qenë dikur një nga komunat më të zhvilluara në të gjithë Kosovën, dhe tani shume biznese gjilanase kanë probleme edhe sa për të mbijetuar. “Ne po i ofrojmë Gjilanit dhe gjilanasëve një fillim të ri, një nisje për së mbari, të bazuar në një shkollë të qeverisjes lokale që është këtu për t’i shërbyer qytetarëve dhe jo pushtetarëve. Në këtë nismë, prioritet yni është zhvillimi ekonomik lokal.”
“Gjilanin po e presin ditë të mira, zhvillim i qëndrueshëm, dhe pushtet i qytetarëve, me qytetarët dhe për qytetarët. Gjilan po e presin projekte madhore investuese nga investitorë te jashtëm dhe afaristë tonë nga diaspora,” përfundoi Bislimi./rajonipress/