RCCOLA

Bislimi pas nënshkrimit të vendimit për heqjen e vizave: Ishte proces i gjatë e me shumë pengesa

/ 2 minuta lexim

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas nënshkrimit të aktit ligjor të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, tha se ka qenë një proces i gjatë, i vështirë dhe me shumë pengesa.

Ai përmendi faktin se qytetarët e Kosovës kanë pritur për mbi 12 vjet, ndërsa i falënderoi ata për durimin.

“Ka qenë një proces i gjatë, i vështirë dhe me shumë pengesa. Ka marrë 12 vjet kohë. Kishte ngecur në Këshill për shumë vjet. Por, kemi punuar ngushtë me të gjitha shtetet anëtarë që kjo të bëhej e mundur”, u shpreh Bislimi.

Ai tutje u zotua se do të sigurohen që qytetarët e Kosovës të informohen se çka do të thotë liberalizimi i vizave.

“Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët për durimin. Do të bëjmë fushata për t’i njoftuar ata se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi”, tha tutje zëvendëskryeministri.

UBT

Sipas tij, me heqjen e liberalizimit të vizave kosovarët do të ndjehen më evropianë.

“Është mesazh për qytetarët se edhe ne jemi pjesë e Evropës. Ka të bëjë me studentët, sportistët, të cilët mund ta eksplorojnë Evropën”, deklaroi Bislimi.

Një ditë më herët, më 18 prill, Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim, dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024. /Telegrafi/