UBT

Bislimi: Pala serbe ishte e interesuar vetëm për Asociacionin

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

Pas takimit, Bislimi tha se pala serbe ishte e interesuar të bisedojë vetëm për zbatimin e një pjese të Marrëveshjes Bazë, themelimin e Asociacionit.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe”.

“Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviq nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.

Ndër tjerash, Bislimi theksoi se me Lajçakun diskutuan edhe për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Uji Dea

“Pala kosovare mendon se Serbia në vazhdimësi po e saboton zbatimit e deklaratës së Kurtit dhe Vuçiqit. Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka treguar se Kosova po ec me detyrimet e saj, kurse Serbia ka zero angazhim. Ka kritikuar ashpër BE-në për mungesë totale të interesimit që të ecet para me marrëveshjen për të pagjeturit”, ka shtuar zëvendëskryeministri.

Kryenegociatori ka thënë se është folur edhe për hapjen e dy vendkalimeve të reja kufitare me Serbinë, ndërsa kanë kërkuar që të hapen edhe dy shtesë gjatë sezones së verës.

Për këtë, sipas tij Bashkimi Evropian do të përgatit propozim final.

Petkoviq, ndërkohë, i cilësoi takimet si “të vështira, dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Beogradi ka konfirmuar se është gati të bisedojë për draft-statutin e Bashkësisë së komunave të hartuar nga BE-ja, dhe Bislimi refuzoi ta diskutojë atë, gjë që tregon se Prishtina nuk është e interesuar për formimin e Bashkësisë së komunave dhe për procesin e normalizimit”, ka deklaruar Petkoviq.