UBT

Bislimi: Gjilani epiqendër e zhvillimit kulturor

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Faton Bislimi ka theksuar bindjen dhe përkushtimin e tij për ta bërë Gjilanin epiqendër të zhvillimit kulturor, jo vetëm për Anamoravë, por për të gjithë rajonin ndërkufitar- pra, edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe ata që jetojnë në rrethinën e Kumanovës.

Nën organizimin e Qendrës për Art Bashkëkohor në Gjilan, “Varg e Vi”, kandidati i Koalicionit për Gjilanin, Faton Bislimi, shpalosi programin e tij qeverisës në fushën e kulturës para komunitetit të artistëve dhe artdashësve gjilanas.

Në hapjen e takimit, Avni Shkodra nga “Varg e Vi” theksoi se në organizime të tilla janë ftuar të gjithë kandidatët, dhe se ka nderin që para të pranishmëve të prezantojë kandidatin Faton Bislimi.

Eco Higjiena

Bislimi shpalosi vizionin e tij për spektrin kulturor në Gjilan, duke theksuar se e sheh kulturën si një pjesë integrale të zhvillimit shoqëror, dhe assesi vetëm si një fushë të qeverisjes. Tutje, Bislimi tha se “programi kulturor në Gjilan do të përpilohet dhe zbatohet në bashkëpunim të ngushtë më komunitetin e artistëve, dhe jo nën drejtimin e politikës. “Unë besoj fuqishëm se Gjilani ka një komunitet vibrant artistik të cilit asnjëherë nuk do t’i mungojë përkrahja nga institucionet komunale nën qeverisjen time. Unë besoj fuqishëm që Gjilani ka nevojë për një shkollë ndryshe të qeverisjes të cilën e sjellë një fillim i ri.”

Në diskutimet që pasuan, Bislimit iu parashtruan një sëre pyetjesh, në të cilat ai u përgjigj duke vënë theks të veçantë në tri pika kryesore të programit kulturor- rritjen e buxhetit për kulturën duke lënë zhvillimin e saj në duart e komunitetit artistik, përkrahjen e rregullt dhe të qëndrueshme ndaj Teatrit të Qytetit, dhe ringjalljen e Kinemasë së Qytetit.

Ai përfundimisht theksoi bindjen e tij dhe përkushtimin e tij për ta bërë Gjilanin epiqendër të zhvillimit kulturor, jo vetëm për Anamoravë, por për të gjithë rajonin ndërkufitar- pra, edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe ata që jetojnë në rrethinën e Kumanovës./rajonipress/