UBT

Bislimi: Asociacioni pasi të plotësohen elementet e njohjes de-facto

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se hapat drejt krijimit të Asociacionit do të vijnë vetëm pasi të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për draftstatutin e hartuar nga shtetet perëndimore si dhe veprimeve të Serbisë drejt njohjes de-facto.

“Është faza e tretë ku Qeveria pas vendimit eventual pozitiv ose modifikimeve të Gjykatës Kushtetuese nxjerr dekretin e saj dhe pasojnë veprimet e tjera të Serbisë – në atë moment kur garantohet plotësimi i të gjitha elementeve të njohjes de-facto, atëherë mund të nisë veprimi për krijimin e Asociacionit”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Bislimi.

Ai ka thënë se autorët e Asociacionit kanë potencuar se ajo do të jetë në respektim të plotë të kushtetutshmërisë së vendit.

“Ne mendojmë që autorët kanë pasur kujdes për provizionet e Gjykatës sonë Kushtetuese, por kjo s’është garanci që nuk është huq diku. Por për atë është filteri i Gjykatës që të sigurohemi që nuk ka zbrazëtira kushtetuese brenda saj”, ka thënë tutje ai në “RTK Prime”.

Sulmi i 24 shtatorit: Reagimi i vakët i Bashkimit Evropian, intensifikim veprimesh nga Serbia

Bislimi ka thënë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë duhet të shihet si episod i veprimeve të njëpasnjëshme të Serbisë ndaj Kosovës. Ai ka thënë se shteti fqinj ka shpresuar të krijojë një realitet të ri.

UBT

“Është gabim që Banjska të shihet si rast i izoluar, ai është një nga episodet, që ka filluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur kryetarët e komunave veriore janë tërhequr nga institucionet, barrikadat në veri, bojkotimi i zgjedhjeve në prill, sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it italian dhe hungarez dhe rrëmbimi i policëve në qershor. Nëse shikohet e dalloni se niveli i agresivitetit është rritur në vazhdimësi dhe kjo ka reflektuar në reagimin e vakët të Bashkimit Evropian, e cila nga ana e Serbisë është interpretuar si dritë e gjelbër për të intensifikuar veprimet”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka thënë se reagimi i BE-së ndaj këtij sulmi ka qenë me tendencën për ta zvogëluar rrezikshmërinë. Ka shtuar se me reagime të tilla mund të mendohet për një sulm të radhës, transmeton RTKlive.

“Çdo tentim që me përdor legjislacionin për të ardhur në një konkluzion tjetër është shumë i gabueshëm sepse krijon perceptimin se mund të përfitosh nga zbrazëtirat ligjore të vendeve anëtare. Qasja e vendosur e Bashkimit Evropian do t’i kishte minimizuar në maksimum shansat që Banjska të përdoret. Me këto tendenca për ta zbehur apo zvogëluar përmasën e rrezikshme të saj, vetëm se shtohen mundësitë që dikush mund të mendojë për përsëritjen e këtij aksioni, sidomos kur dihet që Radoijçiq në Serbi lihet ende i lirë dhe qarkullon rreth kufirit të Kosovës”, ka shtuar Bislimi.

Opozita, pengesë e madhe në dialog

Bislimi në intervistë ka akuzuar partitë opozitare duke thënë se “kryeministri Kurti në shumë instanca i ka ftuar liderët e opozitës për të ndërtuar zërin e përbashkët unik karshi dialogut. Ka pasur hezitim, në fakt një pengesë e jona e madhe në dialog e në Bruksel ka qenë zëri opozitar. E kemi pasur lehtë të ballafaqohemi me Vuqiçin, por kur kanë thënë edhe opozita juaj mendon si Serbia, ju mendoni ndryshe. Kjo akuzë është thënë nga Lajçaku, s’e kam thënë unë”, ka thënë ai në “RTK Prime”.

Tutje ka folur për thirrjen e përbashkët me Lajçakun gjatë ditës së sotme, duke thënë se ka marrë përgëzimet e tij për palën kosovare lidhur me konvertimin e targave ilegale.