Bisedimet me Serbinë, së pari e zhbëjnë identitetin shtetërorë, dhe Kosova e përgjysmuar do bëhet konfederatë me Shqipërinë!
Nga Gani Sadiku – Kosova do të ndahet mes Serbisë e Shqipërisë, por para se të bëhet një ndarje e tillë mes Edi Ramës dhe Vuçiqit, nevojiten bisedime për ta zhbërë identitetin e saj kombëtar e shtetëror dhe për ta nëpërkëmbur vendimin e GjND-së…!
Sot shqiptarët po jetojnë në një gërmadhë të cilës po i fashitet temeli i ndërtuar mbi gjakun e shumë brezave të historisë, dhe së cilës vetëm miopët nuk po ia shohin fundin!.
Gjatë historisë, kosovarët gati çdo luftë e kanë bërë edhe në trojet e Shqipërisë së sotme, por politika aktuale në krye me Edi Ramën, është bërë shtyllë e fortë dhe lokomativë trumbetuese e shtetit dhe interesave fashiste serbe.
Në këtë kontekst, s`ka dritë dielli në horizontin e së ardhmes, por duken vetëm furtuna e tmerre, prej të cilave do të vdesin shpresat dhe do të mbytet e ardhmja e çdo qytetari.
Si për ironinë e fatit tonë, Edi Rama bashkë me Hashim Thaçin, po bëhen më të rrezikshëm se sa Vuçiqi e Daçiqi, të cilët jo vetëm që po e përgatisin terrenin për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, por çdo zhvillim të politikës ndërkombëtare po e shtyjnë në atë drejtim që pjesën e mbetur të Kosovës, ta drejtojnë kah një Konfederate me Shqipërinë e cila detyrimisht e shuan identitetin, shtetësinë dhe kombin tonë të ri.
Një dëshmi e cila vërteton këtë gjë është emërimi i dy ministrave kosovarë në digasteret gati kryesore në Shqipëri, për ta ndihmuar HTH, që ta përgatis opinionin e gjërë, në Kosovë dhe jashtë saj, që përmes presioneve kombëtare e ndërkombëtare, t’i detyrojë kundërshtarët e idesë hegjemoniste serbe që ta pranojnë copëtimin e vendit, dhe pjesa tjetër pa identitet, do t’i “bashkohej” Shqipërisë.
Humbja e identitetit tonë kombëtar, do e nxisë ikjen masive të shqiptarëve nga vendi, sepse po e humbe identitetin kombëtar, i cili është ndërtuar me mund, djersë e gjak, populli i Kosovës nuk do e sheh edhe më tej Shqipërinë si vendin ëmë…..por do e konsideroj përgjegjëse për krejt humbjen që do të ketë gjatë këtyre rrjedhave historike…
Fatkeqësia jonë qëndron edhe në atë se KM, Ramush Haradinaj duke qenë se i ka të acaruara raportet me BE-në, dhe Mogherinin, me një presion fare të vogël i cili do të vijë nga SHBA-ja, ka me u detyrue me pranue çdo marrëveshje të cilën Hashim Thaçi do t’ia servirë në tavolinë, por edhe nga fakti se Haradinaj është shumë i njohur për ndryshim qëndrimesh për hirë të pushtetit të tij personal.
Ende është i freskët rasti më eklatant, votimi i demarkacionit me Malin e Zi, vetëm për ta mbajtur postin e kryeministrit, edhe pse kishte trazuar tërë vendin për dy vite me radhë, kur LDK-ja, ishte në pushtet.
Sot Kosova sundohet nga politikanët që janë pengmarrësit e shtetit, të cilët pluskojnë në fluskën e tyre të realitetit virtual, dhjetë fish më të pasur se sa homologët e tyre në Evropë, dhe njëqind fish më arrogantë se sa shtetarët e huaj, pasi, në këtë vend populli dashuron me frikë qeverinë, e jo si, në vendet e zhvilluara e demokratike, ku është qeveria ajo që ka frikë nga populli…….
S`ka negociata mes Serbisë e Kosovës, por ka bisedime të fshehta mes Vuçiqit dhe Thaçit, me mentorët e tyre në Beograd, Prishtinë e Tiranë, të cilët nuk e vrasin fare mendjen për atë se çka humbë Kosova në një marrëveshje eventuale me Serbinë, por se ku po mbesin ata pas humbjes së identitetit, dhe si do të arrijnë ta manipulojnë opinionin e tyre që pjesën pa identitet, pa flamur, pa pjesën veriore dhe lindore të Kosovës, t’ia bashkangjesin Shqipërisë, me të cilën pa mëdyshje se do të pajtoheshin edhe Serbia dhe Rusia.
Përçarja e klasës politike në vend, po sjell ujë në mullirin e Serbisë, sepse pos konfliktit politik në mes të pozitës dhe opozitës, ekziston një “konflikt i ngrirë” edhe në mes të LDK-së dhe LVV-je, (për shkak të kundërshtive të tyre nga e kaluara), ku kjo e fundit nuk do ta kundërshtonte edhe nëse 1/4 e Kosovës do t’i bashkohej Shqipërisë, për shkak të kauzës së tyre të cilën e kanë pasur që nga themelimi i kësaj lëvizje.!
Ky është në fakt problemi real, i cili ka krijuar një vakum të madh social në Kosovë, sepse përfaqësimi politik është zhbalancuar frikshëm, dhe sado që diferencat ideologjike mes partive kryesore, sa vijnë e bëhen më konvencionale, sërish mbetet një shtrat i qëndrueshëm natyral votash që ndan të majtët dhe të djathtët në Kosovë, por që LVV-je, do të mbes “as mish e as peshk”, dhe kështu në fund do i dal në krah pushtetit aktual….
Secili lider dhe secila parti në mënyrën e vet, po e dëmton vendin, dikush duke e përbaltur, dikush duke e përçarë, ndërsa dikush tjetër, duke bërë sikur po e përqafon, por duke i shtrënguar aq fort sa që po ia thyejnë qafën.
Krahu i luftës në pushtet, në fund të procesit do të bëhet bashkë, dhe pavarësisht kozmetikës që do ta mbështjell humbjen e sovranitetit të vendit, “idealizmin” e tyre për pushtet do të mundohen t’ua shesin si “dushk për gogla” qytetarëve të cilët siç duket nuk janë në gjendje ta kundërshtojnë këtë klasë të zhballansuar politike, deri në humbjen e lirisë së tyre.
Si e vetme parti që do të tentoj ta mbrojë interesin e vendit, do të mbetet LDK-ja, por vështirë se do të arrijë ta bëjë atë duke pasur parasysh se ka një lider me probleme shëndetësore, dhe zgjedhjet partiake të cilat do të mbahen në këtë vit, ku si rrjedhojë nuk do të jetë aspak e lehtë menaxhimi i këtij procesi, duke pasur parasysh, ambiciet e shumë kandidatëve për kreun e kësaj partie.
LDK-së, njëkohësisht i duhet të harxhoj energji për ta shpëtuar vetën nga ndonjë plasaritje eventuale kur kihet parasysh se çka do me thënë të tentosh t’iu dalësh përpara projekteve të tilla gjeostrategjike, duke ditur forcën e Serbisë dhe interesat e Rusisë për rajonin.!/rajonipress/


