Bilanci dyvjeçar i qeverisë “Haradinaj”, sukseset dhe dështimet
Formimi i Ushtrisë së Kosovës, taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe ndalja e ndarjes së vendit vlerësohen si sukseset kryesore të qeverisë “Haradinaj”, përderisa zhvatja e buxhetit të shtetit, izolimi i vendit, dështimi diplomatik, numri i madh i ministrave, i zëvendësministrave dhe i koordinatorëve nacionalë faturohen si dështime të këtij ekzekutivi, shkruan gazeta “Zëri”.
Formimi i Ushtrisë, vendosja e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe ndalja e ndarjes së Kosovës janë disa nga veprimet për të cilat qeveria “Haradinaj” po mburret që i ka ndërmarrë gjatë mandatit të saj gati dyvjeçar. Përderisa për opozitën edhe zhvatja e buxhetit të shtetit, izolimi i vendit dhe dështimi i diplomacisë kosovare janë veprime që duhet të shkojnë në llogari të Qeverisë në dorëheqje.
Ndonëse ishte më e madhja që nga paslufta, qeveria “Haradinaj” po konsiderohet se e ka pasur performancën më të dobët prej të gjitha pushteteve në Kosovë. Njohës të çështjeve politike theksojnë për “Zërin” se kjo qeveri ka kontribuar në prishjen e imazhit të Kosovës dhe ka vënë në mëdyshje perspektivën e saj evropiane. Ndonëse partnerët e koalicionit pajtohen për një qeverisje me nota pozitive, ata nuk pajtohen që edhe tarifa 100% t’i ketë sjellë arritje Kosovës gjatë mandatit të kësaj qeverie.


