UBT

BIK: Qeverisë i mungon guximi politik

/ 6 minuta lexim

Bashkësia Islame e Kosovës, thotë se qeverisë qendrore në Prishtinë i mungon guximi politik për të respektuar liritë fetare në vend. Sipas këtij institucioni, sistemi i sotëm thuaja vepron si regjimi i vjetër, i cili e konsideron fenë si çështje të ndaluar. Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se BIK-u duhet të përfshihet në politikë, sepse vetëm kështu mund të luftohet ekstremizmi fetar.

RADIO EVROPA E LIRË: Zoti Bajgora, koncepti i fesë dhe politikës, cfarë do të thotë ajo për Bashkësinë Islame të Kosovës?

SABRI BAJGORA: Nga vet fakti se BIK-u ëhtë apolitik, kjo nuk do të thotë se neve nuk na intereson politika, sepse jemi pjesë e pandashme e popullatës, dhe e përjetojmë njëjtë atë që përjeton popullata. Prandaj, do të ishte mirë që të fuqizohet roli i bashkësive fetare, sidomos BIK-u, në rrjedhat e politikës së Kosovës, natyrisht duke mos paragjykuar absolutisht ndikimin që mund ta ketë në vendimmarrje, a diçka e tillë.

Mirëpo, konsultat janë gjithmonë të nevojshme, sepse ka shumë çështje që duhet adresuar, pikërisht te bashkësitë fetare, sidomos te bashkësia islame. E kam fjalën për disa probleme madhore, me të cilat po ballafaqohet Kosova viteve të fundit, e ato kanë të bëjnë me implementimin e edukatës fetare në shkollat publike, dhe bartjen e uniformës fetare, pra shamisë, nga vajzat myslimane në shkolla.

Prandaj, bashkërendimi i aktiviteteve të përbashkëta të qeverisë apo politikanëve dhe të bashkësive fetare, Bashkësisë Islame, besoj se do të ishte një sinjal i mirë, se respektohet edhe mendimi i liderëve fetar. Prandaj mendojmë që…

RADIO EVROPA E LIRË: …thoni do të ishte mirë, por a respektohet apo jo mendimi i liderëve fetar? E përmendet edhe vet çështjen e mbulesës, çështjen e mësim-besimit! Deri ku keni arritur me këto cështje, që t’i plasoni në agjendën e politikës?

SABRI BAJGORA: Më duhet të them se pas disa përpjekjeve, në vitet e kaluara, muajin nëntor të vitit të kaluar, qeveria e Kosovës ka marr vendim për të aprovuar një komision qeveritar, lidhur me liritë fetare në Kosovë. Dhe unë jam përfaqësues i BIK-ut në këtë institucion.

Deri më tash kemi bërë, disa vizita studimore në gjashtë vende të BE-së, dhe jemi të kënaqur jashtëzakonisht shumë nga përvoja që kemi marrë nga këto vende, sepse e kemi parë në praktikë, se të drejtat fetare realizohen, praktikohen dhe jetësohen, çdo ditë, në përditshmërinë e jetës së myslimanit në Evropë.

Prandaj, Kosova që synon të integrohet në BE, në periudhën e jashtme, është mirë që të mos vonohet me këto procese dhe këto integrime, por të bashkëudhëtojë së bashku me gjithë spektrin e saj politik, duke u përpjekur që të harmonizojë ligjet aktuale të Kosovës me ato të BE-së.

Shamia në shtetet e BE-së nuk është problem, dhe as edukata fetare, sepse është pjesë e pandashme e kurikulave shkollore. Ministritë përkatëse të arsimit, financojnë edhe mësuesit fetar. Në të gjitha ato vendet që kemi vizituar, Gjermaninë, Austrinë, Belgjikën, Turqinë, Kroacinë dhe kemi qenë edhe në Francë, i cili si shtet laik ka avancim të të drejtave fetare që nga viti 1905 e tutje.

Sipas informacioneve që kemi marrë atje, shihet që fëmijëve u është lënë e lirë plotësisht dita e mërkurë, në mënyrë që t’i kushtohen fesë në komunitetet e tyre fetare.

RADIO EVROPA E LIRË: Çfarë mungon në Kosovë, e që ju keni parë në këto shtete evropiane?

SABRI BAJGORA: Në Kosovë, së pari mungon një guxim politik i qeveritarëve tanë, që të mirren me hallet dhe nevojat e popullatës. Është trashëguar ndoshta nga sistemi i kaluar, që feja të konsiderohet si temë tabu, dhe vështirë e diskutueshme.

Mobi Casa

Mirëpo, nëse këta politikanët tanë e shohin, me shikim largpamës, gjithsesi do të duhej të merren më tepër me bashkësitë fetare. Sepse po t’i kesh afer bashkësitë fetare, nën ombrellë për të bashkëpunuar ngushtë me to, atëherë besoj se do të largonim çdo implikim të një ekstremizmi të mundshëm fetar, në rrjedhën politike dhe te qytetarët e Kosovës.

BIK-u, ka gatishmëri, ka potencial që të merret me shumë probleme, me të cilat qeveria jonë ende nuk është e gatshme që të ballafaqohet.

RADIO EVROPA E LIRË: Ju thatë se qeverisë i mungon guximi politik, po Bashkësisë Islame a i mungon ky guxim?

SABRI BAJGORA: Nuk i mungon BIK-ut guximi politik…

RADIO EVROPA E LIRË: Atëherë pse nuk i kërkoni më me ngulm të drejtat tuaja…

SABRI BAJGORA: Ne nuk kemi dashur që ta rëndojmë situatën politike. Nga vetë fakti se viteve të kaluara ka pasur protesta, nga disa grupe, të cilat nuk janë identifikuar me BIK-un.

Prandaj s’kemi dashur që të implikohemi në gjëra të tilla, duke u përmbajtur me kodin etik të mirësjelljes islame, që gjërat duhet të kryhen në mënyrë institucionale e jo në rrugë.

Prandaj kjo qasje serioze e qeverisë, me formimin e këtij komisioni, besoj se do të sjell rezultate të dëshiruara, që ne më në fund të gëzojmë ato të drejta, ashtu siç e ka potencuar shpesh herë edhe myftiu i nderuar: kërkojmë që ato të drejtat që i gëzojnë pakicat islame në Evropë, t’i gëzojë shumica islame në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË: Kur prisni do të ndodhë kjo?

SABRI BAJGORA: Shpresoj se gjatë këtij viti. Jam shumë i bindur, pa paragjykuar për vendimin përfundimtar. Por, deri në shtator, çështja e shamisë do të zgjidhet në mënyrë fatlume, me një koordinim të përbashkët ndërmjet të Ministrisë së Arsimit dhe BIK-ut, dhe kjo çështje besoj se shumë shpejt do të zgjidhet.

Ndërkohë që projekti i edukatës fetare në shkolla, është një projekt që me të vërtetë ka nevojë të studiohet në mënyrë shumë serioze.

Së pari, të bëhen disa pilot-projekte nëpër komuna të Kosovës, që pastaj të hyjmë në atë projektin e madh, që do t’i jepte hapësirë të mjaftueshme edukatës fetare nëpër shkollat publike, të cilat besoj se do t’i përafronte, dhe do t’i bënte njerëzit shumë më të afërt me njëri-tjetrin, sepse do ta kuptojnë shumë më mirë fenë e tjetrit, dhe do ta kuptojnë shumë më mirë fenë e vet.

Ne për momentin, kjo në Kosovë na mungon, sepse shumë të rinj tanë, nuk e kanë idenë se çka thotë feja e tyre për shumë çështje, të cilat ne e konsiderojmë si të pacenueshme.