Bien shpenzimet për 100 milionë euro

Inkasimi i 277 milionë eurove nga shitja e Postë-Telekomit të Kosovës nuk do t’i kryejë punë Qeverisë së Kosovës, e cila parashikon t’i ulë shpenzimet për 100 milionë euro vitin e ardhshëm. Zv/ministri i Financave, Ramadan Avdiu ka njoftuar për “Tribuna” se vitin e ardhshëm do të ulën shpenzimet nga të gjitha kategoritë, përfshirë edhe ato për projekte kapitale.
“Kemi filluar përgatitjet për hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm dhe kemi paraparë që t’i ulim shpenzimet për 100 milionë euro për të gjitha kategoritë, pasi që disa projekte përfundojnë sivjet dhe nuk kemi nevojë të shpenzojmë vitin e ardhshëm”, është shprehur Avdiu. Ai ka mohuar se tkurrja e shpenzimeve vjen si pasojë e krizës buxhetore. Në anën tjetër, burime të gazetës bëjnë të ditur se tkurrja e shpenzimeve vjen si rezultat i kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) e cila parasheh disiplinë të rreptë fiskale.
Por, e gjithë kjo do të bëhet në kundërshtim me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) e cila është hartuar po nga kjo ministri. Sipas KASH-it, shpenzimet e përgjithshme gjatë periudhës së projektuar 2013-2015, pritet të shënojnë ngritje të vazhdueshme me një mesatare vjetore prej rreth 2% duke arritur vlerën prej, 608 milionë në vitin 2015.
“Parashikimet sugjerojnë që gjatë vitit 2013 shpenzimet e përgjithshme buxhetore të shënojnë një rritje më të lehtë krahasuar me rritjen e tyre gjatë vitit 2012. Kjo rritje më e lehtë vjen si rezultat i një planifikimi më të matur fiskal me qëllim të ruajtjes së qëndrueshmërisë buxhetore në periudhën e ardhshme afatmesme”, thuhet në dokumentin e KASH-it (Tribuna).